Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Belle Air” bllokon 50 pasagjerë në linjën Rinas-Kretë, kompania “fantazmë” tallet me qytetarët

 “Belle Air” bllokon 50 pasagjerë në linjën Rinas-Kretë, kompania “fantazmë” tallet me qytetarët

Dje, kompania e fluturimeve “Belle Air” përsëriti mashtrimin e rradhës me udhëtarët. Ishin 50 udhëtarë të cilët do të shkonin në Kretë, por që nuk mbërritën dot. Shkak ishte kompania ajrore “Belle Air” e cila si përherë edhe dje, nuk iu përgjigj me shërbim të detyrueshëm udhëtarëve që kishin prenotuar biletat e saj. Të 50 pasagjerët nuk shkuan dot në Kretë, sipas biletës së paguar pranë kompanisë “Belle Air”, mbasi kjo kompani nuk u vendosi në dispozicion avionin e prenotuar. Pas 3 orësh heshtje, kompania “Belle Air” njoftoi pasagjerët se nuk mund të udhëtonin dot drejt Kretës, mbasi në Kretë ishte kohë shumë e keqe. Në fakt, pas telefonatës së bërë nga gazeta “SOT” me persona që jetojnë në Kretë, mësuam se atje koha ishe shumë mirë, e qetë dhe pa asnjë problem minimal, për të kryer shërbim transporti ajror.

50 pasagjerë të “Belle Air” kthehen mbrapa, marrin me dhunë pagesat e biletave

Një grup prej 50 udhëtarësh, të cilët kanë paguar biletat për t’u nisur për në ishullin e Kretës, u bllokuan dje paradite në aeroportin e Rinasit. Pasagjerët u shprehën të revoltuar, pasi ishin bllokuar pa shkak dhe në mënyrë denigruese nga kompania “Belle Air” e fluturimeve. Justifikimet ishin të pabesueshme. Sipas drejtuesve të kompanisë së fluturimeve “Belle Air” shkak për mos nisjen e avionit ishte moti i keq në ishullin e Kretës. Në fakt, dje në Kretë nuk kishe asnjë shqetësim për ulje dhe fluturim avionësh, madje në Kretë, ka qenë dita më e qetë dhe e bukur që nuk “lëkundte” as gjethet e pemëve. Ndërkohë, kompania “Belle Air” deklaroi se kishte “kohë të keqe”. Madje, pasagjerët e denoncuan këtë mashtrim të kompanisë dhe bënin apel, për zgjidhjen e kësaj situate. Një nga personat që do udhëtonte drejt Kretës, deklaroi, se arsyeja e motit të keq nuk qëndron, mbasi ishte një justifikim banal, siç ndodh përherë me këtë kompani mashtruese e zhvatëse. Pasagjerët deklaruan për gazetën “SOT”, se kompania nuk i kishte dhënë asnjë shpjegim për biletat dhe për orarin e nisjes, i cili ishte parashikuar për orën 12:00 të ditës së djeshme, por që nuk u realizua, duke i lënë pasagjerët në pritje e stres prej 6 orësh në aeroport. Pas bërjes publike të skandalit, kompania “Belle Air” njoftoi për anulimin e fluturimit dhe kompensoi pasagjerët për çmimin e biletës. Kompania ka njoftuar, se nisja e avionit do të kryhet në një ditë tjetër, por pa e përcaktuar si ditë. Por ky sqarim dhe premtim i bërë prej kompanisë “Belle Air” nuk i ka qetësuar pasagjerët, të cilët kanë marrë me dhunë vlerat e biletave dhe kanë deklaruar se nuk do të kërkojnë më shërbim prej kësaj kompanie mashtruese.

“Belle Air”, tmerr dhe tallje për udhëtarët

Jo vetëm rasti i djeshëm i 50 pasagjerëve të linjës Rinas-Kretë, por edhe shumë raste të tjerë të ndodhur me kompaninë “Belle Air” , po vërtetojnë përfundimisht, se kompania ajrore “Belle Air” është kthyer në makth për ata që kanë provuar dhe vazhdojnë të provojnë shërbimin e kësaj kompanie. Kush guxon të udhëtoj me këtë kompani, duhet të marrë parasysh jo vetëm shqetësimet dhe vonesat por edhe kostot e udhëtimit. Kjo agjenci udhëtimesh nuk respekton asnjë standard udhëtimi ajror, madje tallet me udhëtarët, duke ndryshuar orare, duke ndryshuar tarifa, duke mos dhënë shpjegime për vonesat, për ndryshimin e orareve dhe për detyrimet financiare që ka ndaj klientëve. Kjo kompani e cila ka si “tutor” financiar kreun e Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, ka fuqinë e plotë të pushtetit aktual, për të vepruar sipas interesave të veta. Me këtë fuqi ka lidhje dhe fakti, që kjo kompani sillet kështu me udhëtarët. Nëse ka një kompani ajrore e cila është “model” i vonesave, talljeve, mos dëmshpërblimeve të pasagjerëve dhe mos përgjigjeve ndaj ankesave të tyre, kjo është kompania ajrore “Belle Air”. Nuk është shqetësim i ditëve të fundit të shumë udhëtarëve, por është një stres i përhershëm i krijuar prej kësaj kompanie e cila nuk respekton detyrimet e shërbimit. Sipas udhëtarëve të kësaj linje, nuk ka ndodhur asnjëherë që avionët e “Belle Air, të jenë treguar korrektë. Edhe pse nuk ka patur dhe nuk ka korrektesë, kompania nuk reagon, përkundrazi vazhdon të ketë të njëjtin shërbim skandaloz. Kjo histori talljeje dhe dëmtimesh që po krijon kompania“Belle Air”, po vazhdon prej 2 vjetësh. Edhe pse ka patur dhe ka shumë ankesa për shërbimin e kësaj kompanie, nuk ka asnjë reagim. Nëse ka një shërbim ajror më problematik në Rinas dhe në linjat ndërkombëtare drejtë Tiranës, ky është shërbimi i “Belle Air”. Avionët e kësaj kompanie vonojnë. Anulojnë nisjet brenda 1 ore, 2 orëve, 3 orëve dhe 1 dite. Askush nuk ka garanci të prenotojë një udhëtim me këtë kompani ajrore, mbasi kompania nuk jep garanci se kur mund të nisesh dhe kur mund të përfundosh në destinacionin e paguar. Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, nëse udhëton me këtë linjë ajrore, ndeshesh me nivelin e ulët të shërbimit prej personelit. Por ajo që shqetëson është siguria e udhëtimit, nëse mbërrin ose jo në destinacion. Është e vetmja agjenci ajrore, e cila nuk garanton asnjë standard. Nuk po flasim këtu për cilësinë e shërbimit brenda avionëve të kësaj kompanie, shërbim i cili është nën nivelin e autobusëve urbanë të linjës Kombinat-Kinostudio.

Shteti në shërbim të “Belle Air” me urdhër të pronarit Basha

Nëse do të udhëtosh me avion për në Itali, tashmë kushtëzohesh të paguash edhe biletën e kthimit. Kompania pranë partisë në pushtet “Belle Air”, tashmë monopol në tregun e fluturimeve, po rrënon xhepat e shqiptarëve. Si mos të mjaftonte dyfishimi i çmimit të biletave, pas eliminimit mafioz nga tregu, të kompanisë “Albanian Airlines”, kompania “Belle Air” nuk i lejon qytetarët shqiptarë të zgjedhin një rrugë më të lirë, për dalë prej Shqipërisë dhe për t’u kthyer në Shqipëri, mbasi është monopol i “kollovarit” të pushtet-familjes “Berisha”, kreut të bashkisë, Lulzim Basha. Bllokimi i 50 pasagjerëve dhe mashtrimi i tyre me gjoja motin e keq në destinacionin mbërritës të Kretës është skandali i rradhës që ka plasuar në tregun e fluturimeve në Shqipëri. Qeveria shqiptare, Bashkia e Tiranës, Aviacioni Civil dhe Aeroporti i Rinasit, janë vënë në shërbim të kompanisë ajrore “Belle Air”, kompani e cila hyri dhe lulëzoi në tregun e fluturimeve tamam në kohën kur Lulzim Basha ishte ministër i Transporteve. Në dispozicion të kësaj kompanie, qeveria ka venduar edhe policinë e shtetit e atë bashkiake të Tiranës, në Aeroportin e Rinasit e cila kontrollon udhëtarët për biletat e kthimit. Po ashtu, Bashkia e Tiranës e komanduar nga pronari i kompanisë ajrore “Belle Air”, prej 7 vitesh i ka mbushur rrugët e kryeqytetit me reklamat e kësaj kompanie. Duke pasur bekimin e qeverisë në pushtet, kjo kompani sillet me arbitraritet me qytetarët, duke i rrënuar financiarisht e duke mos kryer shërbimet. Shefi i kompanisë “Belle Air”, kreu i bashkisë Tiranë Lulzim Basha, ka urdhëruar të gjitha agjencitë e saj në terren, që të detyrojnë udhëtarët të blejnë më detyrim biletat e kthimit, të cilat tashmë janë bërë dyfish më të shtrenjta. Gjithashtu kompania dhe policia nuk u njohin udhëtarëve biletat e kthimit me traget apo në një formë tjetër raporti. Po ashtu, “Belle Air” e Bashës dhe e familjes kryeministrore “Berisha”, ka dyfishuar çmimet e biletave. Nëse më parë, nga Tirana në një qytet të Italisë bileta kushtonte 150 euro, tashmë bileta është rritur me 230 euro.
 
Fakte vonesash të kompanisë “Belle Air”

1.    Në datën 3 janar 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” u nis me 45 minuta vonesë dhe mbërriti me 72 minuta vonesë.
2.    Në datën 5 janar 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” mbërriti me 34 minuta vonesë dhe u nis me 65 minuta vonesë.
3.    Në datën 13 janar 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” mbërriti me 57 minuta vonesë dhe u nis me 113 minuta vonesë
4.    Në datën 1 shkurt ka qenë avioni i kompanisë “Belle Air”, që është nisur 90 minuta me vonesë nga Milano, pasagjerët kanë kërkuar shpjegime, por nuk u ka dhënë askush asnjë përgjigje. Me po kaq orë vonesë, ka mbërritur në Tiranë.
5.    Në datën 2 shkurt, avioni i kompanisë “Belle Air” është nisur nga Athina me 50 minuta vonesë dhe askush nuk u ka dhënë përgjigje udhëtarëve. Me po kaq orë vonesë, ka mbërritur në Tiranë.
6.    Në datën 3 shkurt, avioni i kompanisë “Belle Air” është nisur nga Milano me 150 minuta vonesë dhe askush nuk u ka dhënë përgjigje udhëtarëve. Me po kaq orë vonesë, ka mbërritur në Tiranë.
7.    Në datën 7 shkurt 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” është nisur me 95 minuta vonesë nga aeroporti i Bergamo dhe askush nuk ka dhënë sqarime. Me po kaq orë vonesë, ka mbërritur në Tiranë.
8.    Në datën 16 shkurt 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” është nisur me 32 minuta vonese, ndërkohë që ka mbërritur me 61 minuta vonesë
9.    Në datën 21shkurt 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” është nisur me 33 minuta vonesë, ndërkohë që ka mbërritur me 46 minuta vonesë.
10.    Në datën 5 mars 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” është nisur me 113 minuta vonesë, ndërkohë që ka mbërritur me 242 minuta vonesë.
11.    Në datën 13 mars 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” është nisur me 73 minuta vonesë, ndërkohë që ka mbërritur me 174 minuta vonesë.
12.    Në datën 17 mars 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” është nisur me 132 minuta vonesë nga Athina dhe askush nuk ka dhënë shpjegime. Me po kaq orë vonesë, ka mbërritur në Tiranë.
13.    Në datën 12 prill 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” është nisur me 2 orë vonesë.
14.    Në datën 23 prill 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” ka mbërritur me 72 minuta vonesë dhe është nisur me 148 minuta vonesë.
15.    Në datën 17 maj 2013, avioni i kompanisë “Belle Air” nuk u nis fare për në Kretë dhe u detyrua të shlyejë pagesat e biletave pasagjerëve, duke i mashtruar ata me gjoja kohën e keqe në Kretë.

“Belle Air” ka 374 padi civile, e fundit është 100 mijë euro gjobë në Milano

Kompania “Belle Air” është në gjyq prej udhëtarëve të saj. Ka një padi në Milano në vlerën prej 100 mijë euro për shkaktim dëmi ndaj udhëtarëve. Ky nuk është rasti i parë që ndodh. Kompania “Belle Air” ka deri tani afro 374 padi civile për dëmshpërblime ekonomike-financiare, të bëra prej klientëve të saj. Në çdo rast padie financiare, objekti është dëmshpërblim për shkak të vonesave prej kësaj kompanie. Por ka një problem tjetër, sepse paditë ndaj kësaj kompanie nuk merren parasysh, mbasi pronar-aksionier i saj është kreu i Bashkisë Tiranë, Luzim Basha .

Ja çmimet e biletave të kompanisë “Bell Air” në pronësi të Lulzim Bashës

Tiranë-Ankona, 224,72 euro
Tiranë –Athin, 216,50 euro
Tiranë-Bari, 219,72 euro
Tiranë-Bolognia, 229,75
Tiranë-Bruksel, 244,72 euro
Tiranë-Firence, 234,72 euro
Tiranë-Genova, 234,72 euro
Tiranë-Londër, 244,50 euro
Tiranë-Milano, 227,72 euro
Tiranë-Paris, 239,72 euro
Tiranë-Perugia, 229,72 euro
Tiranë-Venecia, 229,72 euro
Tiranë- Trieste, 232,72 euro  Nga: Përparim Halili

 

Saturday, May 18, 2013 - 10:57
Total votes: 19