Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kolaudimi mjeteve qendër zhvatjeje, gjobash e lodhjeje për qytetarët

Kolaudimi mjeteve qendër zhvatjeje, gjobash e lodhjeje për qytetarët

Qytetarët shqiptarë në të 12 qarqet e vendit dhe në të 14 qendrat e kolaudim-regjistrimit të automjeteve, vazhdojnë të përballen me shqetësime të shumta në këtë shërbim. Pas botimit të vëzhgimit për problemet alarmante në këto qendra, në gazetën “SOT” kanë ardhur shumë reagime në lidhje me cilësinë, praktikën dhe zbatimin e ligjit në shërbimin në fjalë. Qytetarët janë të shkatërruar prej këtij shërbimi, mbasi atyre nuk u ofrohet asnjë tregues që t’i ndihmojë e lehtësojë, përkundrazi por i pengojnë me procedura fiktive, me zvarritje, me mungesë shërbimi, me orare të vonuara, me korrupsion, me ndëshkime të paligjshme me gjoba absurde, të inskenuara qëllimisht për të shtuar fitimet abuzive financiare, ose troç për të grabitur qytetarët.

Firma “ASG”, shkaktare e situatës së vështirë

Kupola e këtij “skenari” me praktikat e shërbimit të kolaudim-regjistrimit primitiv e rrumpallë që lodh, zhvat, shkatërron biznesin dhe që “ha” kohën e qytetarëve është firma zviceriane "Societe Generale de Surveillance" (SGS). Sipas ekspertëve të fushës së transportit teknik rrugor, nuk ka asnjë motiv konkret që të krijohet kjo gjendje e rënduar në këtë shërbim të rëndësishëm e përcaktues për zhvillimet e biznesit dhe të organizimit të jetës publike të qytetarëve. Pra, nuk ka asnjë arsye objektive, që në këtë lloj shërbimi të ketë kaos e padrejtësi, abuzime dhe vonesa të qytetarëve. I vetmi shkak është skema e qëllimshme, që ka ndërtuar kupola drejtuese e kësaj firme koncensionare monopoliste në Shqipëri, për të përfituar deri abuzivisht sa të mundet dhe si të mundet prej kolaudimit e regjistrimit të mjeteve. Mjafton të vëzhgosh vetëm një orë praktikën rutinë të shërbimit në këto qendra dhe vërtetohen gjithë ankesat që bëjnë qytetarët. Punonjësit në këto qendra edhe pse janë me shumicë, nuk kryejnë secili detyrën e tyre, madje as qëndrojnë në vendet e punës. Drejtuesit e mjeteve, nuk kanë asnjë mundësi konkrete, ku të parkojnë makinat, mbasi mungojnë hapësirat e mundshme. Në mungesë të punonjësve përkatës të kolaudimit në vendet e punës, ata vihen në kërkim të tyre. Këta, në vijim të skemës së tyre për të zhvatur, sorollatin qëllimisht qytetarët me arsye të kota e pa asnjë shkak, deri sa i detyrojnë të paguajnë lekë nën dorë, që të kryejnë shërbimin sa më shpejt, duke evituar vonesat dhe qëndrimet e kota në qendrat e shërbimit.

Shqipëria me 550 mijë automjete, vetëm me një qendër kolaudim-regjistrimi

Sipas specialistëve, përveç marifeteve abuzive të bëra prej firmës "Societe Generale de Surveillance" (SGS), gjendja e krijuar në kolaudim-regjistrimin e mjeteve ka dhe një shkak madhor zyrtar, të krijuar prej qeverisë “Berisha” dhe Ministrisë së Transportit Shqiptar. Qysh në privatizimin e këtij shërbimi, qeveria e ka përqendruar atë në një dorë të vetme kontrolli e administrimi. Në këtë lloj shërbimi, faktet e këtyre 4 viteve pas kalimit me koncesion privat, po tregojnë se në kolaudim-regjistrimin e automjeteve në Shqipëri, nuk ndryshoi cilësia dhe struktura funksionale teknike e shërbimit ndaj mjeteve e qytetarëve, por ndryshoi vetëm emri i pronarit: nga pronësi shtetërore, në pronar koncensionar privat të huaj. Specialistët i kanë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëjnë apel qeverisë e Ministrisë së Transportit, që të ndërhyjë urgjentisht për të bërë një riformatim tjetër të këtij shërbimi, me tregues funksional e cilësor. Ata theksojnë, se ka ardhur koha dhe është tepër emergjente, që ky lloj shërbimi të shkëputet nga monopoli i një firme të vetme, duke u liberalizuar, për të eliminuar kohë-vonesat e shërbimit, të cilat përveç qëllimit korruptiv e abuziv të punonjësve shkaktojnë dhe vonesa shërbimi prej numrit të madh të mjeteve e kategorive të mjeteve. Fakti që sektori i transportit rrugor ka marrë një zhvillim në sasi e llojshmëri dikton liberalizmin e këtij shërbimi. Siç e kemi theksuar, kërkesa për hapje të këtij shërbim ka shumë, por qeveria nuk i aprovon edhe pse ligji e lejon këtë prishje monopoli. Ata që kanë në dorë zbatimin e ligjit, pra kupola e qeverisë, nuk ka pranuar të licencoj kompani të tjera kolaudim-regjistrimi mjetesh duke shkaktuar këtë shqetësim të madh për bizneset, fermerët dhe qytetarët përdorues mjetesh motorike. Prapa këtij bllokazhi të mbajtjes së monopolit me firmën zvicerane "Societe Generale de Surveillance" (SGS) në kolaudimi-regjistrimin e mjeteve, fshihet dhe vepron një dorë e fortë në kupolën e qeverisë “Berisha” e cila natyrisht që përfiton pjesë të “bilancit: financiar të të ardhurave të kësaj kompanie.

Kolaudimi i makinave, torturë për shkak të ryshfeteve të qëllimshme

Me shkrimin e botuar për praktikat dhe shqetësimet në shërbimin e kolaudim-regjistrimit të makinave, gazeta “SOT” bëri një shërbim serioz e të madh në dobi të qytetarëve dhe bizneseve. Nuk guxon të shkosh në qendrën e kolaudimit dhe regjistrimit të makinave mbasi stresohesh, lodhesh, vonohesh, zhvatesh me ryshfete e gjoba kot, madje dhe tallesh në mënyrën më cinike e të papërgjegjshme prej punonjësve që shërbejnë aty. Kjo praktikë ekziston e vepron që nga kapanoni i kontrollit fizik të mjetit dhe deri tek sporteli i pagesave, që nga zënia e rradhës së makinës e deri në dalje prej kapanonit dhe sportelit të pagesës së tarifës. Kush paguan, i firmosen letrat “në trotuar”, pa e kaluar fare makinën për kontroll. Kush nuk paguan ryshfet nën dorë detyrohet të vuajë stresin, vonesën, kthimin mbrapa pa shkak dhe rikthimin përsëri në ditët e tjera me të njëjtin shqetësim absurd e të sajuar që ata krijojnë. Pa llogaritur këtu pagesat në formë gjobe kur të rikthen për rikontroll, pagesa që nuk janë asgjë tjetër veçse vjedhje e dyfishtë, e trefishtë, e katërfishtë. Këtë vjedhje nëpërmjet gjobës, firma "Societe Generale de Surveillance" (SGS), pra punonjësit e qendrës së kolaudimit e realizojnë, duke krijuar qëllimisht çregjistrim tek pajisjet kontrolluese të impianti të kontrollit teknik, për të nxjerr fiktivisht me “defekte” teknike mjetet, sidomos në sistemin e frenimit. Pas kësaj, duhet të largohesh pa firmën dhe vulën e kolaudimit dhe duhet të futesh përsëri në rradhët e gjata 2 e 3 ditore dhe të paguash përsëri një vlerë lekësh në formë gjobe. Kemi kundërshtuar për këtë vjedhje, por askush nuk na përfill. Halli që kemi për punën dhe nevojat familjare që kemi për mjete transporti, na detyrojnë të nënshtrohemi përballë këtij pisllëku që bënë kjo firmë. Jo vetëm mua, por shumë qytetarëve të tjerë me të cilët na lidh puna dhe na bashkon rasti në rrugë, apo tek kjo pikë shërbimesh u ka ndodhur dhe vazhdon t’u ndodh absurdi. Pasi futin mjetin për kontrollin fizik, punonjësit krejt pa shkak, ose duke nxjerrë shkaqe pa asnjë problem konkret minimal, të kthejnë mbrapa. Kur kërkon shpjegime, ata të kthejnë shpinën dhe nuk përgjigjen, madje shpesh bëjnë gjeste e sjellje denigruese. Nuk e dimë, se si do zgjidhet halli që na ka zënë me kolaudim-regjistrimin e mjeteve. Qeveria e di shumë mirë situatën problematike. Duhet ndërhyrje për të ndryshuar gjendjen. Qytetarët nuk kanë kohë të humbasin, duke u sorollatur e lodhur në shi, pluhur e diell në qendrën e kolaudimit. Bizneset psh, duhet të bllokojnë mjetet për 2 e 3 ditë mbasi duhet të zënë rradhë përballë pikës së kolaudimit për të bërë kontrollin fizik e teknik, sepse aq është kapaciteti i kontrollit, por gjithashtu, shqetësim është fakti se ka shumë abuzime me shërbimin prej punonjësve, të cilët krijojnë vonesa pa shkak, duke futur në veprim praktikën e zhvatjes së pagesave korruptive.

Reagime

Ruzhdi Daci

Kontrolli teknik i mjeteve, ose kolaudimi siç e quajmë është tepër problematik. Nuk ka rregull në shërbim. Nuk ka korrektesë. Punonjësit manifestojnë sjellje të padenja. Por më shqetësuese janë rradhët e gjata që na vonojnë edhe 3 ditë. Duhet bërë një organizim e disiplinim pune më efiçent në këtë drejtim. Drejtuesit e mjeteve po e vuajnë këtë praktikë ekzistuese. Gjobat janë bërë “modë” në sektorin e kolaudim-regjistrimit të mjeteve. Për të mbushur xhepat, punonjësit krijojnë lloj-lloj shkaqesh, me qëllim që të detyrojnë të paguash ose privatisht, ose gjobë tek sporteli.

Daniel Puka

Nëse doni të njiheni me shqetësimet që kanë qytetarët dhe bizneset në shërbimin e kolaudimit, shkoni e vëzhgoni një ditë shërbimin konkret në Tiranë dhe do të shikoni se çfarë masakre u bëhet drejtuesve të mjeteve. Mund të them, se më mirë ka qenë kur ishte shtetërore, se sa tani që është private. Tani nuk kanë frikë nga askush, të zhvasin në mes të sheshit, se thonë që “jemi privat”.

Safet Bano

Duhet shkatërruar kjo çerdhe korrupsioni e vuajtjesh, që mban emrin shërbim i kontrollit teknik të mjeteve. Të shkosh atje për të kolauduar makinën, ke vetëm tre rrugë: Ose të shkatërrohesh psikologjikisht duke pritur rradhën e duke përballuar shpërfilljen e punonjësve. Ose të paguash nën dorë, për të mos u vonuar. Ose të firmosësh e vulosësh letrat, pa e kaluar mjetin në kontroll teknik. Këto mënyra, ka shumë drejtues mjetesh që i praktikojnë, por detyrohen nga realiteti që ndodh në qendrën e kolaudim-regjistrimit. Nga: Përparim Halili
 

Wednesday, January 23, 2013 - 12:37
Total votes: 11