Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Skandali me borxhet e abonentëve, CEZ shkel Kodin Civil

Skandali me borxhet e abonentëve, CEZ shkel Kodin Civil

“Z. Dollapi, sipas ERE, një nga shkeljet e CEZ-it çek ishte se u ngarkonte qytetarëve borxhet ndaj CEZ të shitësve të banesave dhe u pengonte hapjen e kontratës në emrin e tyre. A e keni ndryshuar apo do ta ndryshoni këtë praktikë të kundraligjshme?” Mesazhit që i kemi dërguar administratorit shtetëror të CEZ, pasi nuk kemi marrë përgjigje as nga zyra e shtypit që ai e ka transferuar nga UKT në CEZ, ai nuk i është përgjigjur.

Problematika

Është një çështje e vjetër prej vitesh. Abonentët debitorë të CEZ shlyejnë debitë e tyre me xhepin e të tjerëve, pas imponimit që i bëjnë gërshërët e CEZ-it qytetarëve të rregullt. Në rastin kur shitësi i një apartamenti i ka pasur borxhe ndërmarrjes, në vend që CEZ apo KESH-i para tij, t'i ndërpriste furnizimin dhe ta ndiqte penalisht sipas ligjit, ka vazhduar ta furnizojë me energji me vite të tëra dhe në momentin që është ndërruar abonenti, ka bërë presion për pagesën mbi këtë të fundit! Ne kërkuam një prononcim nga ERE për këtë gjendje që vazhdon dhe që për nga përmasat e shtrirjes dhe kohëzgjatja, është një superskandal. “Shqetësimi që konstatoni është i drejtë. Ne kemi dhënë udhëzimet e nevojshme se si duhet vepruar në këto raste. Detyrimet i takojnë debitorit dhe askujt tjetër,- prononcohet Entela Çipaj, këshilltare e Bordit të ERE.- Ato nuk mund të mbarten madje as tek të afërmit. Kemi pasur raste ankesash të tilla, përshembull, kur CEZ nuk i lidhte kontratën një qytetari sepse vëllai i tij rezultonte debitor. Ne e kemi shqyrtuar ankesën dhe i kemi dhënë të drejtë qytetarit, sepse ai mund të përgjigjet vetëm për detyrimet në emrin e tij dhe të askujt tjetër. Kjo e drejtë buron nga Kodi Civil”. Kështu u shpreh për gazetën “SOT”, Entela Çipaj, këshilltare e Bordit të Komisionerëve të ERE. Ajo sqaroi disa situata në formë shembujsh si dhe theksoi se borxhet nuk kalojnë tek të tretët, përveçse kur ata marrin të drejtat e trashëgimisë së debitorit. ‘Në këto raste, nga çelja e trashëgimisë burojnë të drejtat edhe detyrimet dhe personi që trashëgon me akt trashëgimie p.sh. shtëpinë e një prindi që nuk jeton, do të ketë edhe detyrimet e papaguara të tij. Por nëse dy vëllezër jetojnë bashkë dhe njëri largohet nga shtëpia , borxhi i energjisë në emrin e të larguarit, nuk i kalon vëllait tjetër. Ai ka të drejtë të hapë kontratë në emrin e tij dhe të pajiset me matës të ri”. Juristët e ERE na shpjeguan se ‘debitor mbetet gjithnjë personi fizik dhe jo objekti’. “Ky ka qenë një ndër shkeljet e CEZ-it për të cilat iu hoq licenca”, përfundon shpjegimin këshilltarja e Bordit të ERE, Çipaj.

Rregullorja e kundraligjshme e CEZ zhduket nga faqja online...

Vetëm pak javë më parë në faqen online të CEZ-it do të gjeje disa dokumente si kontrata e re apo rregullorja e CEZ, të cilat nuk gjenden më. Kjo faqe është ngurtësuar. Rregullorja e kompanisë të cilën e kemi lexuar por që është fshirë, mund të merrej si një hap pozitiv nga administratori i Ri, pasi ajo rregullore binte ndesh me Kodin Civil dhe kontratën. Sipas rregullores se brendshme të CEZ-it, ishin disa rrethana që pengonin hapjen e kontratës së re në rastin e një debie. Hapja e kontratës së re nuk bëhej kur një person figuronte vetë debitor, por nuk mjaftohej deri këtu, pasi këtë e parashikon edhe Rregullorja për Lidhjet e Reja. Rregullorja e CEZ parashikonte refuzimin e aplikimit edhe në rastet kur një nga pjesëtarët e certifikatës familjare figuronte debitor, ose kur figuronte debitor objekti, ose kur figuronte debitor edhe vetëm matësi. Por pavarësisht se kjo rregullore nuk është më e ekspozuar, ajo vazhdon të jetë në fuqi çdo ditë dhe është “ABC-ja” mbi të cilën punojnë punonjësit e CEZ-it. Këtë fakt e provuam menjëherë sapo dolëm nga zyrat e ERE.

Rregullorja e kundraligjshme e CEZ funksionon dhe me Dollapin

Praktikat të cilat CEZ Shpërndarje vazhdon të ndjekë me klientët e saj në rastin e kërkesës për hapjen e kontratës me emër të ri, janë të njëjtat më ato të CEZ-it çek. Përpos informimeve që na vijnë nga qytetarët, ne provuam edhe vetë. Tek Zyrat e Kujdesit ndaj Klientit pranë pallatit me shigjeta, punonjësja e sportelit ku u paraqitëm si konsumatore, na shpjegoi se nuk mund të hapësh kontratë me emrin tënd, nëse nuk është shlyer borxhi. “Ne nuk interesohemi të dimë, se kush e paguan borxhin, e paguan shitësi i apartamentit apo blerësi. Dikush duhet t’i paguajë,- tha ajo,- dhe kjo pagesë konsiderohet në emrin e debitorit. “Na vjen keq,- tha punonjësja,- por pa u shlyer borxhi, ne nuk bëjmë ndërrim të emrit. Sepse që të bëhet kjo, duhet të mbyllet kontrata e debitorit dhe kjo bëhet pasi ne të kemi lëshuar dokumentin e shlyerjes së borxhit”. “Po nëse nuk e ndryshoj emrin dhe vazhdoj me atë kontratë?” “Njësoj është, -tha punonjësja e CEZ.- Do të vijë dita dhe do t’ju ndërpritet energjia, përveç faktit që nuk do t’ju lejohet që të paguani as periudhën tuaj të konsumit”. Argumentit tonë se ‘sapo vijmë nga Enti Rregullator i Energjisë, ku na kanë shpjeguar se është shkelje nga ana e CEZ refuzimi i hapjes së kontratës së re, pasi debitori është individi dhe jo matësi’. “Atëherë, ja ku i keni zyrat e ERE, afër nesh. Shkoni ankohuni atje. Ne nuk ju hapim kontratë në emrin tuaj”, tha e vendosur punonjësja e CEZ-it, duke injoruar qëndrimet e Entit Rregullator të Energjisë dhe ligjin.

Ish-punonjësi i CEZ: Qytetarët e fitojnë gjithnjë gjyqin

Një nga punonjësit e pushuar nga puna pak kohë më parë, interesimit tonë për trajtimin e debive, iu përgjigj se CEZ-i i binte shkurt, nuk merrej me hapjen e proceseve gjyqësore ndaj debitorëve të tij, por paratë e tyre ua merrte qytetarëve të rregullt që blinin shtëpitë apo dyqanet e tyre. “Nga njëra anë, ka njëfarë të drejte, sepse qytetari nuk duhet ta blejë një shtëpi me borxhe,- tha Uran Shtylla,-por sipas ligjit nuk ishte e drejtë. CEZ nuk i pranonte këto rregullore, vepronte mbi rregulloren e tij, vetëm atë njihte.” Ai tha se nëse qytetarët kundërshtonin, u prihej energjia dhe ata detyroheshin të paguanin, por në rast se shkonin në gjyq, gjë që e bënin shumë pak prej tyre, gjithmonë e fitonin gjyqin.”

ERE ka udhëzuar CEZ të mos pengojë hapjen e kontratave

Raporti i Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2011 tregon se ky institucion është në dijeni të praktikave antiligjore të kompanisë CEZ Shpërndarje, siç është pengimi për hapjen e kontratës së re, qytetarëve që kanë blerë shtëpitë e debitorëve të CEZ dhe detyrimi që të shlyejnë borxhet që nuk u takojnë. Nga ky raport shkëpusim:“Konstatojmë probleme të lidhjes dhe transferimit të kontratave , për këto raste konstatojmë vonesa në lidhjen e kontratave, mostransferim të kontratave për objektet që figurojnë debitorë. Nga ana jonë është udhëzuar të bëhet lidhja e kontratave për të gjithë ata subjekte, që nuk janë debitorë. ERE është në ndjekje të vazhdueshme të këtij problemi.” Por CEZ ka vazhduar këtë praktikë antiligjore ndërsa konsumatorët presin masa konkrete që do ta ndëshkonin dhe ndalnin këtë padrejtësi.

Klientja e filialit te CEZ Berati
Më thonë të paguaj milionat të shlyej borxhet e shitësit

Në momentin që CEZ-it i vjen klienti i ri që kërkon ndërrim emri, jo vetëm që nuk i hap kontratë të re, por madje as nuk e lejon që të paguajë konsumin e vet nga momenti i blerjes së apartamentit. Kozeta K. një konsumatore nga Berati, na kontaktoi për të na treguar rastin e saj: “Kur bleva apartamentin, ish-pronari kishte disa vite energji pa paguar. Pagova vetëm disa muaj të mëparshëm të tij me qëllim që të vazhdoja rregullisht të paguaja konsumin tim dhe që nga momenti i legalizimit të banesës jam “ok”. Por nuk ndryshoj dot kontratën pa u shlyer borxhi i ish-pronarit të shtëpisë prej 3-4 milionësh. U interesova sepse dëgjova që ishin falur, por më thanë se janë falur deri në 2005. Pra, unë duhet të paguaj 4 vitet, nga 2005 deri në 2009”. Ajo pohoi se të njëjtin problem kishte patur edhe me kontratën e ujit.

Po të kishin zbatuar kontratat, nuk do të kishin debitorë shumëvjeçarë

Nëse do të ishte zbatuar kontrata, nuk do të kishim debitorë që kanë miliona pa paguar, e përkthyer në kohë, borxhe shumëvjeçare. Kështu, neni 5, ‘Pezullimi dhe Përfundimi i Kontratës’ thotë se “Kontrata e furnizimit lidhet për një periudhë të pacaktuar dhe mund të ndërpritet edhe me iniciativën e furnizuesit (5.1.2) në rast të shkeljes nga ana e Klientit të detyrimeve thelbësore të kontratës. ‘Do të konsiderohen shkelje thelbësore të kushteve të kontratës nga ana e Klientit rastet si më poshtë: a. Nëse Klienti nuk paguan detyrimet e energjisë elektrike duke përfshirë edhe kamatëvonesën brenda 1 muaji pas ndërprerjes së energjisë elektrike. 5.4 Me ndërprerjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike...”. Por deri më sot nuk kemi konstatuar asnjë rast të prishjes së kontratës nga ana e furnizuesit (CEZ), për shkak të energjisë së papaguar. CEZ dhe para tij OSSH dhe KESH, kishin vazhduar t’ua mbajnë të hapura kontratat debitorëve, në mënyrë që në rast të ndryshimit të abonentit, t’u bënin presion qytetarëve të rregullt për të paguar borxhet që vetë nuk i vilnin dot. Shkelja më e rëndë është se qytetari bën një pagesë jo me vullnet të lirë, por me imponim dhe kjo pagesë nuk faturohet në emrin e tij. Ndërsa Rregullorja për Lidhjet e reja përcakton se kur refuzohet aplikimi. “CEZ Shpërndarje mund të refuzojë kërkesën e një aplikanti kur: 1) ai rezulton te jete debitor dhe nuk ka shlyer detyrimet e mëparshme ndaj kompanisë ose 2) synon marrjen e shërbimeve për lidhje të reja, qe sipas opinionit të CEZ Shpërndarje, rezulton të jetë mashtrues, i pavërtetë ose çorientues.” Siç shihet, rregullorja tregon se refuzimi i aplikimit ndodh vetëm në rast se vetë aplikuesi është debitori. Ndërsa një moment tjetër nga “Kushtet e përgjithshme të kontratës së furnizimi me energji elektrike për klientët familjarë”, tregon një handikap, kur thotë se ‘Nëse Klienti kërkon të ndërpresë Kontratën e Furnizimit me Energji Elektrike, ai do të njoftojë me shkrim Furnizuesin 30 ditë kalendarike përpara, dhe do të likuidojë të gjitha detyrimet përkundrejt Furnizuesit. Klientit do t’i jepet konfirmimi për arkëtimin e tarifës së ndërprerjes së kontratës (mandati përkatës i arkëtimit)”. Mirëpo ai e lë kontratën të hapur dhe nga kjo nuk ka pasur praktikisht pasoja. Denisa KONA
 

Friday, April 19, 2013 - 11:26
Total votes: 16