BREAKING NEWS
SPAK para “provës së zjarrit”, avokat i njohur paralajmëron arrestimin e Edi Ramës, ja aferat ku dyshohet se është përfshirë kryeministri
x
BREAKING NEWS
Idajet Beqiri: Si e ngriti Flamur Noka mini-fabrikën në Greqi me valixhet me euro nëpërmjet dy njerëzve të tij të besuar nga Kukësi dhe Fieri që përfunduan në burg, ja detajet nga afera e madhe që ndodhet në duart e SPAK
x
BREAKING NEWS
Ja pse Grenell është lidhja e dyshes Berisha-Meta me Edi Ramën, si po i varin shpresat tek njeriu i Donald Trump për të shpëtuar nga sanksionet e SHBA duke shitur ishullin e Sazanit, Evi Kokalari nxjerr detajet e forta
x
BREAKING NEWS
Richard Grenell konfirmon pazaret Rama-Berisha për ishullin e Sazanit, ja detajet e marrëveshjes me dhëndrin e Donald Trump
x
BREAKING NEWS
Edi Rama pazare të pista me Vuçiç dhe Grenell për të ringjallur idenë e copëtimit të Kosovës, media gjermane plas “bombën”, ja çfarë fshihet pas investimit të dhëndrit të Donald Trump në ishullin e Sazanit
x
BREAKING NEWS
Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë
x
BREAKING NEWS
Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti Bajram Begaj, te Xhaçka dhe Belinda Balluku, zbardhen shkeljet e rënda penale për interesat e oligarkëve, si u vendos në rrezik siguria kombëtare, operacionaliteti i Forcës Detare dhe detyrimet...
x
BREAKING NEWS
Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të suksesshëm Taulant Balla, policia mbledh gëzhojat e ekzekutimeve
x
Bombardimet e NATO në '99 në Serbi, zbardhen negociatat e fshehta Rusi-Amerikë, ja përfshirja e Ahtisarit
Shkruar nga SOT.COM.AL 17 Qershor 2014
"Prapaskenat e kapitullimit të Millosheviçit" është libri më i fundit i cili vjen këtë herë me plot ngjarje dhe fakte interesante për lexuesit. Botimi i shtëpisë botuese "Helga's Secrets" ka në qendër negociatorët e paqes së Kosovës, amerikanin Stroble Talbot dhe rusin Viktor Çërnomërdin. Ky libër flet për kujtime të veçanta të dy negociatorëve rus dhe amerikan të paqes së Kosovës më 1999. Këta i përfunduan negociatat me marrëveshjen e Kumanovës, e cila ndërpreu luftën dhe çliroi Kosovën më 12 qershor të 1999. Ky botim, i cili vjen në vijim dhe jo të pak librave që ka sjellë deri më tani kjo shtëpi botuese, përcjell për lexuesitnë një mënyrë më të qartë dhe konkrete atë se çfarë ndodhi në ato kohë, ku Kosova ishte në qendër të vëmendjes. Në vazhdim po japim një pjesë nga kujtimet e negociatorëve të paqes së Kosovës që rrëfehet në faqet e librit "Prapaskenat e kapitullimit të Millosheviçit".
Propozimi i Jelcin për negociatat
....I gjithë problemi qëndronte në lidhje me idenë se përse ma ngarkuan mua këtë punë dhe jo një diplomati të karrierës? Duhet ta pranoj se këtë pyetje ja kam bërë edhe unë vetes, kur Presidenti i Federatës Ruse, B. N. Jelcin më propozoi të merresha me këtë punë. Këtë unë e kam shpjeguar disa herë, por ka pasur edhe shkrime të ndryshme në mjetet e informacionit masiv... Është e kuptueshme se mua mu desh të përgatitesha me shumë kujdes për kryerjen e misionit, si përfaqësues special i presidentit. Unë e kuptoja gjithë vështirësinë dhe përgjegjësinë që më kishin ngarkuar. Sepse parandjenja vështirësi të veçanta për bisedime me presidentin e Jugosllavisë, S. Millosheviç. Praktikisht, në jetën reale, kështu më ndodhte. Qëndrimi im, në të gjitha etapat e bisedimeve, ka qenë parimor. Po, Sllobodan Millosheviçi është një figurë politike komplekse. Unë dhe më përpara kam menduar, edhe tani mendoj, se ai është një ndër fajtorët e shpërbërjes së Jugosllavisë së madhe. Por, sido që të ishte Millosheviçi, pikërisht me të ishte e domosdoshme të fillonim ta zgjidhnim këtë nyje të koklavitur mosmarrëveshjesh, në të kundërtën, nuk mund të ndalohej gjithë ajo gjakderdhje e përgjithshme që shpërtheu me zjarr në qendër të Europës dhe mund të përhapej, jo vetëm në të gjithë kontinentin, por edhe larg kufijve të tij. Pikërisht për këtë, mbasi e kisha përcaktuar qartë qëndrimin tim, në një prej bisedave të para me të, i thashë:
- Sllobodan, hajde të merremi vesh.
Unë për ju nuk jam thjesht një negociator; madje unë nuk jam as diplomat. Unë kam një mision special. Ne, Rusia, nuk jemi pjesëmarrës në konflikt.
A e ka provokuar dikush luftën? Ai tha si përgjigje: - Çfarë është kjo? Ne po na bombardojnë!
Unë i përgjigjem:- Ky është fakt. Por ekziston edhe një fakt tjetër. Zhvillohet luftë, nga bombardimet vriten serbë, shqiptarë...
Vrasin popullin jugosllav, vrasin tuajt, popullin tënd, Sllobodan. Ju jeni udhëheqësi i këtij vendi. Ju si udhëheqës i Jugosllavisë, a dëshironi që ne, rusët, ta ndalojmë këtë luftë?
Ai:- Dua
- Me të vërtetë dëshironi?
- Me të vërtetë dëshiroj.
- Atëherë të veprojmë kështu. Edhe një herë e përsëris, unë nuk jam diplomat dhe në ato djallëzitë e komplikuara tuajat nuk kam ndërmend të futem, përderisa vdesin njerëz, shkatërrohet vendi. Ose të merremi vesh, të gjejmë kompromise, të zgjidhim të gjitha problemet dhe, gjatë kësaj pune, ju na ndihmoni dhe shfrytëzoni të gjitha mundësitë tona, ose - ndahemi menjëherë. Ju, në këtë luftë nuk mund të fitoni, objektivisht kjo është e pamundur. Në qoftë se ju do vazhdoni edhe më tutje të rëndoni situatën, do të varrosni miliona njerëz të pafajshëm dhe, juve personalisht, do t'ju bëjnë kriminel. Juve do t'ju dënojnë. Në qoftë se ju e kuptoni këtë, ne jemi gati të bëjmë gjithçka për të ndaluar luftën, gjakderdhjen. Ja çfarë kam parasysh unë, kur ju them që, hajdeni, të gjejmë zgjidhjen bashkë.
- Hajdeni - ra dakord ai Kështu filloi bashkëpunimi ynë.
Kuptohet se, që herën e parë nuk arritëm të merremi vesh. Kemi pasur biseda më se të mjaftueshme për atë kohë të shkurtër që kalova me të. Dukej sikur nuk kishte kuptim të përsërisja e të përsërisja të njëjtën gjë, por unë fillova të kuptoj se, ai, në të vërtetë filloi të ndërgjegjësohej se çfarë fatkeqësie varej mbi Jugosllavinë, mbi popullin e tij, e kuptoi se nga ky konfrontim, jo vetëm ai, por as amerikanët nuk kanë ku tërhiqen. Unë u përfshiva në këtë punë kur lufta kishte plasur nga të gjitha anët. Kaloi një javë, e dyta, muaji dhe NATO vetëm shtonte e shtonte bombardimet... Sigurisht që Sllobodani kishte ushtri shumë të fortë. Në të vërtetë, çfarë do të thotë Jugosllavi? Ai nuk është një vend, në të cilin mund të shëtisësh me tam- tame fitimtarësh. Dhe nuk është popull që mund të gjunjëzohet. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fashistët nuk mundën ta pushtonin plotësisht, ta nënshtronin këtë popull paqedashës... Territori i Jugosllavisë dhe veçanërisht i Kosovës- Metohisë, është tri të katërtat male. Në qoftë se do të lëvizësh nëpër të, atëherë, mund të lëvizësh vetëm nëpër rrugë malore. Dhe problemi nuk qëndron vetëm tek malet. Josif Broz Tito, gjatë luftës dhe, veçanërisht, mbas lufte, gjysmën e Jugosllavisë e futi në male, nën tokë. Aerodrome, uzina, depo, kazerma, të gjitha janë aty. Millosheviçi trashëgoi ushtri tepër të fortë. Ai, një herë, i revoltuar tha: - Viktor Stapanoviç, ata vetëm le të fillojnë, le të vijnë në tokën tonë...
Unë e nxis edhe më tej:
- Budallallëqe. Ata nuk vijnë. Fillimisht ata do të rrafshojnë malet tuaja dhe ju, do ju varrosin në male; ata nuk vijnë pa e hekurosur tokën me raketa dhe bomba. Dhe, mandej, kur të binden se ju kanë bërë rrafsh me tokën, do të vijnë. Do të vijnë ngadalë, qetë..... E po mirë. Këto janë emocione. Dhe, siç dihet, ato kalojnë kur njeriu fillon të kuptojë gjithë vështirësitë dhe kontradiktat e situatës e dëshiron të dalë prej saj me dinjitet. Pikërisht kjo ishte kryesorja. Nervat janë nerva, por e ndjej se njeriu do të gjejë rrugëdalje. Të tillë, që të mos humbasë fytyrën e tij dhe të mos dalë i mundur...
Millosheviçi në fatkeqësi nga ideologjizmi i skajshëm
I vështirë ishte si njeri Millosheviçi, por ai është udhëheqësi i vendit. Situatën e plotë ai filloi ta kuptojë me vonesë të madhe. Ai ra në fatkeqësi nga ideologjizimi i skajshëm dhe, bashkë me të edhe populli i tij. Ishte e domosdoshme që ai të ndihmohej për ta kuptuar, pikërisht, këtë. Në mënyrë që njeriu dhe, veçanërisht, politikani të vlerësojë gjithë tragjizmin e situatës së krijuar. Por kur vjen një ndërgjegjësim i tillë, është më lehtë të flitet për detajet teknike. Tani dua të flas edhe për amerikanët. Së pari, për ta unë nuk jam njeri i panjohur, por një njeri që ata e njohin prej shumë vitesh dhe me të cilin kanë zhvilluar disa herë bisedime të vështira. Ata e dinë se, në biseda të sinqerta apo të pasinqerta, për mua është i rëndësishëm rezultati përfundimtar. Dhe ja, në takimin e radhës, atje tek ata, tek Presidenti i ShBA, Bill Klinton, qëndruam një orë, dy orë, dhe u largova pa asgjë. Mandej përsëri shkuam në takim. Në krye të delegacionit amerikan ishte zv/ presidenti i ShBA, Albert Gor, me të gjithë të tjerët. Duhej të merrte pjesë dhe sekretarja e Shtetit Madlen Ollbrajt, por ajo nuk erdhi. As presidenti i ShBA, Klinton, nuk ishte.
Ai më kishte paralajmëruar: - Viktor Stepanoviç, unë do të vija, por mua më ka ardhur Kryeministri i Japonisë... E kuptoni vetë, vizitë zyrtare.
Dhe ja, unë jam në rezidencën e zv/presidentit të ShBA, Albert Gor, më shumë se prej tri orësh dhe, me sa duket, folëm për... por nuk ja dëgjuam fjalën njëri tjetrit. Tensioni ishte i jashtëzakonshëm... Unë i shpjegoja qëndrimin tonë, ndërsa ata, amerikanët, e kishin krijuar vizionin e tyre për këtë problem dhe mendojnë se, as që mund të ketë rrugëdalje të tjera. I shikoj dhe më vijnë mendime të tilla: janë mbyllur në korniza, thua se janë peng i ndonjë programi kompjuterik. Unë filloj t'u flas, e sikur gjithçka është e kuptueshme. Ndërsa ata dëgjojnë dhe... kot. Qëndrojmë kaq orë në tavolinën e bisedimeve. Unë atyre një gjë, ata mua një gjë tjetër. Unë u them "në kuadrin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara..."
. Ata mua "Jo." Unë u them: "Në kuadrin e Këshillit të Sigurimit...".
Ata mua: "Jo." Unë atyre për të dhjetën herë:
- Ju nuk e doni luftën në Jugosllavi?
Ata mua:
- Nuk e duam.
- Atëherë, hajdeni, ndaloni bombardimet.
- Jo, ne dëshirojmë që Millosheviçi të bjerë dakord me kërkesat tona.
- Por kjo është e pamundur! Dhe e shtroj pyetjen me qëllim. Atëherë gjeni dikë tjetër. Unë nuk mund të propozoj atë që doni ju. Unë nuk mund të marr pjesë në punët tuaja. Atëherë vazhdoni vetëm. Dëgjojnë, vështrojnë të përqendruar, me shumë kujdes dhe heshtin... Atëherë përpiqem ti prek në zemra:
-Unë ju kuptova. Ju keni ndërmend të vazhdoni të bombardoni. Por a e dini se ju jeni zhytur në gjak deri në gjunjë? Dhe do të zhyteni në gjak, deri në fyt. Më besoni mua, këtë nuk do ua falin. Jo vetëm serbët, por edhe pasardhësit tanë, prandaj dhe e mallkojnë Amerikën. Dhe ndahemi. Largohemi. Gjithçka është kot. Tensioni është i jashtëzakonshëm.
Bisedimet me Albert Gor dhe Madlen Ollbrajt
Mua më duhet që ditën tjetër të fluturoj për Nju Jork, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ishte e domosdoshme që nga kjo tribunë e lartë të tingëllonte fjala që ka peshë. Punuam gjithë natën, menduam variante të ndryshme. Ndihmësit e mi pothuajse nuk u shtrinë të flinin. Punonin gjithë natën, përgatisnin dokumente, propozime, përpilonin variante të ndryshme dhe skenarë politikë, për të nxjerrë procesin e bisedimeve nga qorrsokaku. Mbasi pushuam dy orë, u ngrita herët në mëngjes, dola shëtitje sa për të marrë veten dhe ftova ambasadorin tonë në Amerikë, Ushakovin dhe, i them atij:
- Hë, çfarë do bëjmë tani?
Po çfarë të bësh? Gjithçka që mund të bënim, e bëmë. Me palën amerikane një mur memec, me palën jugosllave, pothuajse e njëjta gjë, por ka disa hapa pozitive.
Po si ti realizojmë ato?
A thua po e lëmë shansin të na ikë?
Shpirti vuan. Truri punon. Të gjitha faktet tregojnë se nuk ka mundësi reale. Por intuita parandien se ata nuk do të më lënë të iki, kështu, pa asgjë. Duhet edhe një takim tjetër. Duhet një pretekst, duhet kohë. Për fat, u gjet një pretekst të qëndroj në Uashington. Më telefonoi Kryeministri i Japonisë dhe mu lut të takoheshim në ora nëntë. Unë rashë dakord Nisemi. Në makinë i them ambasadorit:
- Telefononi zv/presidentit të ShBA.
Ushakovi më sheh mua me dyshim. Nuk vendos. Të lidhemi të parët, pa shkak?
Tensioni është në kufij. Tashmë po shkojmë drejt rezidencës. Përsëri i them Ushakovit:
- Hajde, jepi, merr në telefon direkt Gorin.
Ai, mua më përgjigjet:
- Çfarë, Viktor Stepanoviç, gjallë nuk të lidh kush. Ata, të gjitha lidhjet i kanë nëpërmjet Departamentit të Shtetit.
Unë i them atij: -Telefononi
Ai: - Është e kotë.
Unë: - I thoni se Çërnomërdini nga Rusia kërkon të bisedojë me Gorin në telefon. Në linjë del Departamenti i Shtetit. Dhe menjëherë na lidhin. Në këtë kohë po i afroheshim rezidencës ku ishte sistemuar Kryeministri i Japonisë. Unë i lutem që shoferi të ulë shpejtësinë. Zv/presidenti merr telefonin. Përkthimi bëhet i sinkronizuar. Nëpërmjet telefonit i them;
- Zoti Gor, ju lutem, hajdeni të takohemi dhe një herë e të bisedojmë.
Gori përgjigjet: - Unë ju po ju pres. Me sa duket, ne mendonim njëkohësisht të njëjtën gjë. Sigurisht që nervat më lëshuan. Jo ata, por mua. Për mua është shumë më e vështirë, sepse unë kontaktoj edhe me njërën palë luftuese, edhe me tjetrën. E parandieja se ai do të më kishte ftuar përsëri, se ata nuk do të më lëshonin pa asnjë lloj vendimi - kjo ishte e padiskutueshme. Me kryeministrin japonez, diskutuam disa çështje, rreth dyzet minuta. Japonia është anëtare e "tetëshes", e cila zgjidh probleme politike, ekonomike... Papritmas bie zilja e telefonit. Tani telefonon Gori.
- Si i keni punët ju atje?
Unë i përgjigjem: Ne po e përfundojmë takimin. Ku të vijmë?
Gori: - Ejani me delegacionin tek unë, në rezidencën time, në shtëpi
- E kuptova, do të bisedojmë kokë më kokë?
Ai në përgjigje: -Ejani.
Erdha. Të gjithë janë aty. Edhe Sekretarja e Shtetit M. Ollbrajt është aty, edhe të gjithë të tjerët, sipas rangut. Tani e kam të qartë: të bëj presion dhe të forcoj deri diku disa pozicione. Biseda në këtë takim vendimtar, sigurisht që ishte absolutisht e sinqertë. Unë i thashë se ç'përfaqësojnë ata në sytë e komunitetit botëror... Që kjo luftë e vërtetë, mund të përhapet. Ju, i them, nuk keni kuptuar asgjë deri më sot? Ju shkoni përpara me forcë. Ju mendoni se të gjithë këtë kanë për t'ju a falur? Mendoni se të gjithë do ta hedhin vallen sipas lodrës tuaj? Askush nuk do të kërcejë një valle të porositur. Dhe ju, kurrë nuk do të fitoni në këtë luftë. Kurrë nuk do ta arrini këtë. Me asgjë, me asnjë lloj arme. Unë u deklarova atyre:
- Kini parasysh. Ne jemi Rusi. Nuk bën mos të na vini në hesap. Ne nuk jemi pjesëmarrës të kësaj katrahure. Unë flas me ju si ndërmjetës dhe si shtetas i Rusisë, për më tepër, si i ngarkuar fuqiplotë i Presidentit të Rusisë. Mos e zgjoni bishën. Mos e zgjoni!. Është më mirë ti jepni fund gjakderdhjes që keni filluar. Dhe në të, nuk duhet të ketë as fitimtarë, as të humbur! Ata mua për të disatën herë:
- Çfarë dëshironi?
- Çfarë dua unë?- Mbas një pauze, unë shpjegoj: Millosheviçi nuk ju dorëzohet ju. Nuk na dorëzohet as ne, rusëve. Thjesht, për parim. Ai është njeri i veçantë. Ai duhet të dalë nga kjo krizë dhe të mos mbetet humbës. Ai mund ti nënshtrohet një organi autoritar ndërkombëtar, i cili është i plotfuqishëm të marrë vendime. Dhe e tillë është vetëm Organizata e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit i OKBsë.
Ata përsëri: - Çfarë dëshironi ju?
Unë e zhvilloj arsyetimin: - Në procesin tonë të bisedimeve duhet të marrë pjesë një palë e tretë. Jo vetëm unë me Millosheviçin, por edhe një i tretë, përfaqësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i Këshillit të Sigurimit.
Në përgjigje;- Ni-ni-ni....
Unë vazhdoj: -Mirë atëherë, shikoni variantin alternativ. Ju do të bombardoni. Kapitullimin e Millosheviçit doni. Do të bëhet gjaku det. Do të bëhet! Por kjo nuk ju afron asnjë hap tek fitorja. Millosheviçi nuk do të dorëzohet dhe serbët nuk e dorëzojnë atë. Ju mund ti ç'farosni të gjithë serbët, por ushtrinë jugosllave ju nuk e shkatërroni! Pa operacion tokësor është e kotë. Por në operacionin tokësor, ju e dini se çfarë ndodhë. Ata, ju grijnë ju atje! Ollbrajti më thotë:
-Viktor Stepanoviç, mirë. Kush do të dëshironit të ishte i treti në procesin e bisedimeve?
- Për ne është njëlloj. Ata mendonin se ne do të insistojmë për ndonjë kandidaturë konkrete.
- Këdo i thashë, këdo. Na jepni të tretin. Le të jetë afër me ne. Kush do të zhvillojë bisedime dhe e kujt do të jetë merita, kjo nuk ka rëndësi. Le të jetë ai figura kryesore. Tani nuk duhen kurorat. Për mua, personalisht, rëndësi ka rezultati pozitiv dhe, për këtë, ai duhet të përfaqësojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Përsëri Ollbrajti më drejtohet mua:
- A do ishit dakord për Ahtisarin, presidentin e Finlandës?
- Po, i them. Unë tashmë e kuptova se çfarë drejtimi mori puna dhe përgjigjem: Mirë Lavdi Zotit, e gjetëm daljen nga qorrsokaku.
Çfarë detyre qëndronte para meje? E para dhe kryesorja, ishte e domosdoshme që procesi të futej në rrugë ligjore. NATO kishte filluar veprimet luftarake kundër një vendi sovran pa sanksionet e Këshillit të Sigurimit. Kryesorja ishte arritur: të dy palët ishin dakord që në krye të procesit të bisedimeve duhej të ishte një përfaqësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo kishte shumë vlerë. Në veçanti, kusht i domosdoshëm i OKBsë ishte ndërprerja e bombardimeve. Me një fjalë, përfunduam takimin e parë pozitiv dhe pimë nga një gotë.
Albert Gori thotë; - Viktor Stepanoviç, na bëtë kokën dhallë dhe na shkaktuat dhimbje koke.
E përse? Unë atyre në përgjigje: - Nuk jua bëra unë. Nganjëherë, është e pamundur t'ju kuptosh ju. Po ju, që dje mund të merreshit vesh për një problem të tillë vendimtar. Por, kur u morëm vesh, u lehtësuan të gjithë; kjo shihej në fytyrat e Gorit, Ollbrajtit dhe pjesëtarëve të tjerë në atë bisedë. Por më vonë ata e ndryshuan vendimin e tyre. Tri herë e ndryshuan, por... Eh, këta amerikanët. (vijon)