Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Masakra e Urës Vajgurore në ‘97, “skedoi” si dëshmitarë dhe të dyshuar për nxitjen e saj Nanon, Pollon, Gjinushin

Masakra e Urës Vajgurore në ‘97, “skedoi” si dëshmitarë dhe të dyshuar për nxitjen e saj Nanon, Pollon, Gjinushin

Edhe sot e kësaj dite kujtohet ngjarja e urës vajgurore e vitit 1997. Ka qenë një moment tmerri, kur në qendër të këtij qyteti të vogël ndodhi tragjedia me e madhe e vitit 1997, pas masakrës së Levanit, ku u ekzekutuan 20 persona brenda një restoranti. Ata që kanë përjetuar atë ditë të tmerrshme, deklarohen se “shkak” ishte politika e cila u vërsul drejt Beratit në të njëjtën ditë për mitingje. Këtu nisi dhe përleshja politike mes palëve e cila pas ikjes së krerëve drejtues të PD e PS, degjeneroi në përleshje të armatosur mes militantëve të dy partive, duke precipituar në masakër njerëzore brenda komunitetit.

Nano, Pollo e Gjinushi, në listën e dëshmitarëve dhe të dyshuarve si nxitës të masakrës

Rihapja e dosjeve të bujshme të vitit 1997 nuk e ka lënë anash edhe çështjen e njohur tashmë si masakra e Urës Vajgurore, ku u ekzekutuan katër punonjës policie në krye të detyrës dhe u plagosën gjashtë të tjerë. Në këtë masakër, sipas hetimeve të deritanishme, janë përfshirë simpatizantë të dy partive kryesore në vend, të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Por hapja e kësaj dosjeje nga Drejtoria e Krimeve të Hapura dhe Anti-terrorit pranë Ministrisë së Brendshme ka bërë që grupi hetimor të bëjë gati edhe listën e personave që duhet të merren në pyetje, në cilësinë e viktimave, dëshmitarëve okularë në vendngjarje dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen. Numri i listës së dëshmitarëve, sipas burimeve të mësipërme mendohet të ketë arritur rreth 100 persona, mes të cilëve bien në sy emra të njohur politikanësh. Në listën e dëshmitarëve që kanë dijeni për masakrën e Urës Vajgurore janë renditur edhe emrat e Fatos Nanos, Skënder Gjinushit e Genc Pollos, por edhe si të dyshuar e nxitës të masakrës, pasi ditën e masakrës ata ishin në takime me elektoratin në Berat dhe në Urën Vajgurore. Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se përveç këtyre emrave të njohur, listës së dëshmitarëve nuk i mungojnë edhe shoqëruesit e eskortave të tyre, që kanë kaluar pranë rrugës ku kanë filluar të shtënat mes simpatizantëve të të dyja kampeve politike PD-PS. Theksohet se fletë- thirrjet për këta dhe shumë dëshmitarë të tjerë nuk janë dërguar edhe pas 16 vitesh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila si për “çudi” ende pas 16 vitesh nuk e ka marrë në dorëzim dosjen nga grupi hetimor i Drejtorisë së Krimeve të Hapura dhe Anti-terrorit pranë Ministrisë së Brendshme. Me ndryshimin e qeverisjes në vend, strukturat e specializuara të shtetit, kanë vendosur të hedhin dritë mbi ekzekutimet e vitit të mbrapshtë 1997, duke i rihapur dosjet e bujshme për të gjitha ngjarjet në qytetet e Shqipërisë.

Dëshmon polici Thimi Tanku, efektiv policie i plagosur në masakër

Ajo që ndodhi në Urën Vajgurore ishte tepër e rëndë. Në mes të qytetit u vranë katër punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë. Për këtë ngjarje janë dënuar Musa Protoduari dhe gruaja e tij, Fatbardha, Shkëlqim Protoduari, Fran Marashi, Sokol Ndreu, Gjovalin Ndreu, Preng Miri dhe Gjelosh Miri. I vetmi që doli i pafajshëm nga kjo masakër ishte Edmond Protoduari. Ndërkohë, rihapja e dosjes ka rindërtuar edhe njëherë skenën e ngjarjes. Masakra e Urës Vajgurore është njëra prej shumë dosjeve që ndodhen në "axhendën" e Ministrisë së Brendshme. Prej 16 vjetësh nga masakra e Urës Vajgurore, ku humbën jetën katër punonjës të policisë, autoritetet lokale përkujtojnë “Dëshmorët e Atdheut”, të rënë në krye të detyrës, oficerëve Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano. Një nga dëshmitarët e asaj masakre, efektivi i plicisë Thimi Tanku, dëshmitar okular grupit të pl;iiëve që ranë në krye të detyrës, i plagosur rëndë, rrëfen ngjarjen e rëndë. Ja dëshmia e tij: “Ishte ditë e një fushate elektorale të egërsuar. Unë kam qenë komandant i grupit të gatshëm dhe sapo mora detyrën për të shkuar tek Pallati i Kulturës. Ne morëm urdhër nga shefi i rendit, për të shoqëruar eskortën e ardhur nga Tirana, deri tek shkolla e Poshnjës. Gjithsej, në kthim kemi qenë 11 veta me dy makina policie, katër prej të cilëve u vranë. Pasi kishim shoqëruar eskortën, duke kaluar pikërisht në këtë vend ne na goditën me breshëri armësh dhe armë anti-tanke. Edhe pse ishim brenda në blindë, na hodhën një bombë. Nga shpërthimi i saj ne u plagosëm dhe u dogjëm”, kujton i mbijetuari Tanku. Më tej ai rrëfen momentet e tmerrit, kur grupi i policëve u gjend mes breshërive që vinin nga tarracat e pallateve. Zjarri ndaj nesh u hap nga tarracat e pallateve dhe ne nuk mundëm të njihnim njeri, pasi të gjithë ishin me maska. Ne nuk mundëm dhe nuk kishim asnjë mundësi t’i rezistonim pritës. Pasi kemi dalë duke ndihmuar me aq sa mundeshim të plagosurit, mundëm të largoheshim mes pallatesh dhe aty mbaj mend, se mua më ka ndihmuar një familje, thotë punonjësi i policisë, i cili shtoi më tej, se një makinë e rastit e ka çuar atë drejt spitalit të Beratit. Përplasja e armatosur në Urën Vajgurore ka filluar në orën 11:55 të paradites, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike. Atë ditë, në këtë qytet ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS , i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD-në në miting i ndjeri Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD-së është larguar dhe pas saj ka ardhur ajo e Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit, si dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie. Në kthimin e eskortës së policisë, pikërisht në Urën Vajgurore, persona të armatosur dhe me maska sulmuan me armë të rënda antitanke autoblindën e policisë, ku për pasojë, dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut. Dy të tjerët, Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindës. Ndërkohë që të plagosur mbetën punonjësit e policisë: Thimi Tanku, Ylli Dhamo, Neim Gjeroveni, Engjëllush Pasha, Arben Bega dhe Shkëlqim Selfo.

Prilli 1997, thellim i revoltës dhe krizës shqiptare

Ashtu si muaji janar, shkurt e mars 1997, do të mbetet në historinë e Shqipërisë, si muaji i tragjedive më të rënda të vendit e veçanërisht të zonës së Beratit, ku sundonin 6 banda të strukturuara e të fuqishme dhe 23 banda të tjera rruge, që grabisnin e plaçkitnin qytetarë, udhëtar e banesa. Gjatë këtij muaji në vitin 1997, beratasit e kuçovarët, përjetuan dramën e tyre më të madhe njerëzore dhe ekonomike. Ndërsa u dogj krejt qyteti, zyrat, institucionet e policisë, të ushtrisë prej rebelimit popullor për shkak të piramidave mashtruese financiare të ndërtuara prej pushtetit të Sali Berishës, u vranë dhe afro 3000 shqiptarë. E gjithë kjo tragjedi e madhe ekonomike e njerëzore që pllakosi vendin, pati si pikënisje dhe nxitje piramidat mashtruese qeveritare, por vazhdoi prej qëndrimit absurd e çmendarak të ish-presidentit Sali Berisha, i cili nuk pranonte të largohej nga super-pushteti i tij absolut edhe pse populli po vritej dhe Shqipëria po digjej. Revolta popullore nisi në Vlorë dhe përfshiu krejt jugun dhe vendin, aq sa shteti ra përtokë, ndërsa populli u fut në luftë civile, duke mbetur jashtë kontrollit të shtetit. Pushteti “Berisha” veproi dhunshëm mbi popullin, duke arritur deri në atë pikë, sa vërsuli dhe avionët luftarakë kundër tij. Me një ligj parlamenti, Berisha pasi u vetë-shpall president për herë të dytë në gjendje lufte, dekretoi si gjeneral të ushtrisë, të policisë e të gjithë komandës së vendit, ish-shefin e SHIK, shërbëtorin e tij kriminal Bashkim Gazidede. Nën komandën e tij, SHIK, ushtria dhe policia e degraduar dhe shkrehur e pushtetit “Berisha”, nisi luftën kundër shqiptarëve që kërkonin largimin e Sali Berishës nga pushteti dhe të bandës së tij qeveritare dhe shtetërore e cila e çoi vendin në luftë civile dhe në zjarr, duke e bërë shkrumb e hi.

Të dënuar për masakrën

1. Musa Protoduari, me burgim të përjetshëm
2. Shkëlqim Protoduari, me burgim të përjetshëm
3. Fran Marashi, me burgim të përjetshëm
4. Fatbardha Protoduari, me 25 vjet burg,
5. Sokol Ndreu
6. Gjovalin Ndreu
7. Preng Miri
8. Gjelosh Miri

Lista e firmave piramidale shqiptare

1. Hajdin Sejdia
2. Gjallica
3. VEFA
4. Populli
5. Demokracia Popullore-Xhaferri
6. Kamberi
7. Cenaj
8. Silva
9. Malvasia
10. Kambo
11. Grunjasi
12. Dypero
13. Bashkimi
14. Beno
15. Pogoni
16. B&G
17. Kobuzi
18. Arkond
19. Adelin
20. A.Delon
21. Agi
22. Çashku
23. M.Leka Company
24. Global Limited Co.
25. Sude  Nga: Përparim Halili

 

Saturday, April 20, 2013 - 11:20
Total votes: 50