Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ligji i ri, qeveria ofron “shërbim veresie” për legalizimin e ndërtimeve pa leje

Ligji i ri, qeveria ofron “shërbim veresie” për legalizimin e ndërtimeve pa leje

Nevoja për vota ka detyruar qeverinë “Berisha” të ndryshojë një mori ligjesh, VKM, akte normative etj., në favor të disa shtresave sociale në nevojë. Pas qindra përmirësimesh e ndryshimesh të pavlera deri më tani, qeveria i ka dhënë “dorën e fundit” ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Ligji i ri është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe pas 15 ditësh hyn në fuqi. Ligji i 2006, i cili zbatohej për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura para datës së hyrjes në fuqi, pavarësisht nëse ato kanë funksion strehimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore, të ngritura dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar e që veprojnë sipas të drejtës tregtare shqiptare, tashmë me ndryshimet e reja mund të zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura pas datës së hyrjes në fuqi, vetëm në rast se për to procedura e legalizimit nuk kërkon kalim pronësie mbi truallin”. Më parë, fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihej për ndërtimet informale brenda një distance prej 100 metrash nga akset rrugore kombëtare, me përjashtim të rasteve kur ndërtimi informal përfshihet brenda një zone informale të miratuar. Ndërsa tani, ligji i ri kërkon që fusha e zbatimit të tij nuk shtrihet për ndërtimet informale të ngritura pranë akseve rrugore, në përputhje me distancat e përcaktuara në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

Regjistrimi i pasurisë

Ligji kërkon që kur ndërtimi pa leje disponohet nga një subjekt, kontrata e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore dhe objektit që legalizohet, regjistrohen në emër të subjektit që disponon objektin. Për regjistrimin e pronës së legalizuar, ZRPP zbaton dispozitat e ligjit nr.9062, datë 8.5.2003 "Kodi i familjes", kreu II "Regjimi pasuror martesor në bashkësi". Kur ndërtimi pa leje disponohet nga më shumë se një person fizik ose juridik, regjistrimi i pjesëve takuese mbi pasuritë (parcelë dhe objekt) kryhet: në pjesë të pandara, ideale, sipas numrit të subjekteve; në pjesë takuese të ndara, sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet subjekteve lirisht dhe të depozituar brenda afatit të vetëdeklarimit, pranë njësisë së urbanistikës. Subjektet mund të përcaktojnë përveç pjesës takuese edhe pjesët fizike respektive nëse ndërmjet tyre përputhet vullneti. Ky ligj tashmë do të zbatohet edhe në rastin kur njëri apo disa nga subjektet, që disponon ndërtimin pa leje, nuk shlyen detyrimet financiare të parashikuara në ligj, në lidhje me parcelën ndërtimore/objektin pa leje. Në këtë rast, për pjesën takuese të subjektit debitor bëhet regjistrimi përkatës në ZRPP, në emër të ALUIZNI-t, deri në momentin e shlyerjes nga subjekti të detyrimeve financiare. Deklarimet e bëra në bazë të ligjit nr.9304, datë 23.10.2004 "Për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale", konsiderohen të mirëqena. Kur ndërtimet informale të deklaruara kanë evoluar në sipërfaqe dhe vëllim për shkak të veprimtarive të reja informale, brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj, subjekti është i detyruar t'i rideklarojë ato nga e para. Mosdeklarimi i shtesave të reja çon në heqjen e të drejtës së legalizimit dhe prishjen e objektit, sipas ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”. Për ndërtimet pa leje të ngritura pas vitit 2006, ALUIZNI merr masa nëpërmjet evidentimit faktik të situatës ndërtimore në terren, si dhe fotografimit ajror dixhital apo përdorimit të imazhit satelitor të konvertuar në fotografi ajrore, të korrektuar gjeometrikisht (ortofoto). Rregullat e hollësishme për këtë qëllim përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, me miratimin e ministrit që mbulon procesin e legalizimeve. Subjektet, që posedojnë ndërtime pa leje/shtesa informale në objekte me leje, të ngritura pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, duhet të paraqesin pranë drejtorive të ALUIZNI-t, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kërkesë për legalizim, sipas formularit tip të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t”.

 

Wednesday, May 22, 2013 - 11:10
Total votes: 47