|
I pandehuri Ndue Marku kërkon Mediun si dëshmitar për të vërtetuar pafajësinë
Njëri prej të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit ka kërkuar nga togat e zeza që të thirren në cilësinë e dëshmitarit dy prej ish- ministrave të Drejtësisë. Aldo Bumçi dhe Enkelejd Alibeaj ka qenë dy ministrat e fundit të qeverisë, të cilat kanë kaluar nëpër duar të gjithë praktikën dokumentare të themelimit dhe funksionimit të fabrikës së demontimit. Para disa kohësh përfaqësues të prokurorisë u paraqitën në zyrën e ish- ministrit të Drejtësisë
Enkeljd Alibeaj për të sekuestruar dokumentet që mendohej se implikonin atë dhe paraardhësin e tij Bumçi në këtë aferë. Burime të prokurorisë kanë shpjeguar se grupi i prokurorëve që po hetonte tragjedinë ka përfshirë në dosje edhe praktikën e hartimit të projektligjit nga ana e ministrisë së Drejtësisë dhe kabinetit të kryeministrit, i cili i hapi rrugë përfshirjes se kompanive private në biznesin e demontimit të municioneve dhe tregtisë së armëve. Vetë ish- ministri ka pranuar se ka ndihmuar në bërjen e ligjeve, që krijuan Gërdecin. Madje ai ka shpjeguar me krenari që legjislacioni kishte mangësi dhe ishte ai që këshilloi të krijoheshin ato ligje. Ndër dokumentet që janë sekuestruar në arkivin e ministrisë ndodhen edhe materialet e dyshimta të ish- ministrit Bumçi. Flitej për një shkresë të sekuestruar nga prokuroria ku ministri i atëhershëm Bumçi shënonte në anë të faqes se ky projektligj duhej kaluar menjëherë, se ishte me porosi të Shkëlzen Berishës. Por sipas deklarimeve të Aldo Bumçit, kjo shkresë ka qenë e falsifikuar dhe se shkrimi në të nuk ishte i tiji. Ngelet ende një mister zbardhja e këtyre fakteve, që përfshijnë ish- ministrat në çështjen Gërdeci. Por këto nuk kanë qenë emrat e vetëm të përmendur nga i pandehuri Ndue Marku. Deklarimi i Ndue Markut Në një deklarim i pandehuri Ndue Marku është shprehur se ka ndjekur vetëm ligjin, dhe nuk është shmangur nga kryerja e detyrës.”Unë kam zbatuar ligjin gjatë detyrës sime si drejtor i sektorit të harmonizimit të logjistikës. Kërkoj që të deklarohet papërdoshmëria e provave, që janë ngritur kundër meje. Nuk ka qenë detyrë e drejtorisë sime për të kontrolluar në detaj subjektet e marrëveshjeve private. Prokuroria ka bërë një zgjedhje selektive të të akuzuarve, duke më diskriminuar. Veprimet ose mosveprimet e mia nuk kanë asnjë lidhje me pasojat e ardhura në këtë tragjedi, në Gërdec. Mungesa e lidhjes shkakësore përbën elementin kryesor të mosekzistencës së veprës penale”, ka përfunduar fjalën e tij i pandehuri Ndue Marku, i cili e depozitoi shkresën pranë trupit gjykues. Më pas ishte radha e avokatit të tij për të bërë kërkesat. I pandehuri Ndue Marku ka kërkuar në cilësinë e dëshmitarit ish- ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Duke qenë se ky person tashmë është çliruar nga të gjitha akuzat, atëherë nuk ka ndonjë pengesë ligjore për të dëshmuar. Në këtë rast Fatmir Mediu mund të paraqiten në gjykatë, dhe togat e zeza mund të aprovojnë marrjen e tij në pyetje. Sipas të pandehurit, Mediu është i vetmi person që mund të konfirmojë pafajësinë e tij, pasi të gjitha urdhrat janë lëshuar nga ish- ministrit Mediu. Madje vetë avokati ka treguar se nuk do të heqin dorë nga kërkimi i Mediut si dëshmitar, deri në momentin kur prokuroria do të deklarojë heqjen e imunitetit të tij.
Procesi gjyqësor Seanca e djeshme gjyqësore ka filluar me apelin e togave të zeza, të cilat konstatuan mungesën e disa prej avokatëve. Por fakti që pjesa më e madhe e të akuzuarve janë të pajisur me dy mbrojtës, atëherë kjo nuk përbënte një pengesë për vazhdimin e seancës gjyqësore. Ndërkohë që në sallën e gjyqit mungonte avokati i të pandehurit Fatbardh Kuçi, i cili nuk kishte njoftuar gjykatën për arsyen e mungesë së tij. Në të tilla rrethana togat e zeza vendosën ti caktojnë vetëm për seancën e djeshme avokatin Marash Martini. Ky i fundit u tregua i gatshëm për të marrë përsipër mbrojtjen e të pandehurit, dhe është në dijeni të dosjes së tij. Por në procesin e djeshëm nuk kanë munguar as replikat midis palës mbrojtëse dhe togave të zeza. Në seancën e kaluar togat e zeza kishin caktuar një mbrojtës kryesisht për të pandehurin Ndue Marku, avokati i të cilit mungonte. Ndërkohë që ditën e djeshme ai ishte prezent në sallën e gjyqit, dhe kërkoi nga trupi gjykues që të pyetej sesa e përgatitur ishte avokatja Donata Selmani. Debati vazhdoi kur avokati e quajti si të padrejtë caktimin e avokatëve kryesisht. Ndërkohë që togat e zeza u shprehën, se legjislacioni mundëson dhe lejon që të caktohet një avokat kryesisht, kur mungon mbrojtësi. Sipas avokatit të Ndue Markut kjo është e vlefshme, vetëm kur është i gatshëm dhe vetë i pandehuri, dhe jo kur i pandehuri kërkon me doemos praninë e mbrojtësit të tij. Por edhe seanca e djeshme u shty për ti lënë kohë të pandehurit Mihal Delijorgji, që të njihet me aktet e parashtrimit hyrës.
Aldo Bumçi dhe dokumentet komprometuese Një shkrim i zakonshëm dore, mbi një shkresë zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë duket se është filli i një sërë procedurash për ndërtimin e fabrikës së vdekjes në Gërdec. Në të vërtetë, dokumenti i mësipërm, i firmosur nga Bumçi miratonte lëvizjen ligjore për të përligjur demontimin e armëve në Gërdec dhe i drejtohej ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu. Zbulimi i dokumentit zyrtar që është nisur me faks në adresë të Shkëlzen Berishës shton dyshimet e hedhura që pas shpërthimeve apokaliptike në Gërdec, se në një mënyrë apo në një tjetër, djali i kryeministrit kishte lidhje me procesin e demontimit të armëve. Nëse deri më tani janë publikuar të dhëna për miq të afërm të djalit të kryeministrit që drejtonin fabrikën e vdekjes, dalja e emrit të Shkëlzenit në një dokument zyrtar do të thotë se ai informohej për demontimin, ende pa u ngritur fabrika në Gërdec. Dokumenti i publikuar është nisur nga zyra e ish -ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, në adresë së Ministrisë së Mbrojtjes. Faksi mban datën 13 mars të vitit 2007 dhe është shkresë e dërguar për të koordinuar punën për hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave: “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Faksi i mësipërm, për të cilin ish-ministri i Drejtësisë ngulmon se është i falsifikuar është protokolluar nga zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, duke i dhënë efektshmërinë e plotë ligjore edhe pse ishte përcjellë nga zyra e ish- ministrit të Drejtësisë nëpërmjet faksit. Në këtë shkresë, Bumçi shprehet parimisht dakord me draftin për demontimin e municioneve ushtarake, ndërsa i rekomandon Mediut që në projektvendim të saktësohet se kush është kryetari i komisionit të tenderimit dhe të shmangen fjalët e huaja gjatë hartimit të projektit.
Hartimi i ligjit nga Enkelejd Alibeaj Ish- ministri i Drejtësisë Alibeja ka pranuar se ka ndihmuar në bërjen e ligjeve, që krijuan Gërdecin. Madje ai ka shpjeguar me krenari që legjislacioni kishte mangësi dhe ishte ai që këshilloi të krijoheshin ato ligje. Enkelejd Alibeaj ka pranuar përfshirjen e tij në hartimin e akteve që paraprinë Gërdecin. Por në asnjë rresht të rregullores së veprimtarisë së departamentit që ai drejtonte dikur, nuk i jepet e drejta që të merret me një punë të tillë. Dhe më pas vazhdonte edhe më tej, kësaj radhe duke gënjyer hapur dhe qartësisht se detyra e mëparshme që ka mbajtur, e ka detyruar që të ndiqte dhe një komponent legjislativ. Ekziston një korrespondencë e plotë elektronike dhe një numër i pacaktuar ende takimesh me protagonist Enkelejd Alibeajn dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Ato janë zhvilluar në kryeministri në periudhën që nis me dhjetorin e vitit 2006 dhe janë intesifikuar jashtëzakonisht në muajt e parë të vitit 2007. Në këto e-maile, një pjesë e të cilave tashmë ndodhen në dosjen voluminoze të akuzës, me gjithë gabimet e shumta drejtshkrimore, Alibeaj afronte asistencë juridike dhe zgjidhje për problemin se çfarë duhej bërë me armët, teknikën dhe pajisjet që dilnin nga përdorimi dhe që ishin pronë e Forcave të Armatosura. Kryesisht marrësi i tyre ishte Plarent Ruka, këshilltari juridik i ministrit të mbrojtjes. Mbas disa takimeve radhazi në zyrën e tij në Këshillin e Ministrave, ai i drejton në 22 janar 2007 një e-mail këshilltarit juridik të Mediut. Ai bashkëngjit një “relacion mbi situatën juridike dhe mundësitë ligjore për implementimin e një marrëdhënieje kontraktore të drejtpërdrejtë për rastin konkret”. Bëhet fjalë pikërisht për mënyrën sesi duhej të sillej shteti shqiptar dhe si duhej të lejonte ai nisjen e aktivitetit të SAC-ut, që më pas do të niste bashkëpunimin me AlbaDemil-in e Mihal Delijorgjit, biznesmeni tashmë i arrestuar për tragjedinë e Gërdecit.
Anxhela Tato |