Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dashamir Shehi: 2013 vit trazirash, po përgatitet manipulimi i zgjedhjeve, krimi jashtë kontrollit

Dashamir Shehi: 2013 vit trazirash, po përgatitet manipulimi i zgjedhjeve, krimi jashtë kontrollit

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, në një intervistë për gazetën “Sot’, ka dhënë alarmin për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të 2013. Indicien për manipulimin e zgjedhjeve ai e ka marrë nga debati për rishpërndarjen e mandateve dhe shtimi i numrit të ZAZ. Ndërkaq, Shehi i ka bërë thirrje Partisë Socialiste që të votojë tre ligjet ndërsa shtoi se humbja e statusit erdhi për shkak edhe të një sërë detyrimesh të tjera të papërmbushura. Kreu i LZHK duke bërë një rezyme të vitit që lamë pas, deklaroi se ai ishte i dështuar në aspektin ekonomik ndërsa parashikoi se 2013 do të jetë akomë edhe më i vështirë.

- Si do ta vlerësonit vitin 2012 qoftë në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik?

Në radhë të parë ishte një vit i vështirë, përtej debateve politike. Ajo që rëndon më shumë për një komb është ekonomia e vendit. Ekonomia e këtij viti ka qenë më e dobëta e dekadës së fundit. Kemi një rritje ekonomike prej 1.5 %, pra nuk kemi as 2 %. Në një ekonomi të vështirë çdo gjë bëhet më e vështirë. Bëhet më e vështirë investimet publike, politikat sociale, politikat kulturale, etj. Pra, ky vit ka qenë edhe më i zbrazët. Zbrazëtisë iu shtua edhe mungesa e marrjes së statusit, edhe një sërë vonesash që po bëhen endemike në jetën shqiptare. Tani problemi nuk është më viti 2012. Gjykoj se viti 2013 do të jetë po njësoj si 2012, ndoshta edhe më keq. Në këtë vit shtohet kostoja elektorale, shpenzimet publike, niveli i punësisë fillon e degradon sa herë që afrohen zgjedhjet. Policia humb një pjesë të gadishmërisë, rritet mundësia që krimi të rritet. Mendoj se i gjithë shteti shqiptar duhet të mblidhet, dhe shoqëria shqiptare duhet të ndikojë që procesi zgjedhor të zhvillohet sa më normal.

-Kolegji Zgjedhor, edhe pse nuk ishte në kompetencën e tij, vendosi ngritjen e 89 Zonave të Administrimit Zgjedhor nga 66 që ishin. Ndërsa nga ana tjetër, opozita nuk ishte dakord për shtimin e tyre. Si e vlerësoni shtimin e ZAZ?

Gjykoj se shtimi i ZAZ do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit zgjedhor, në numërimin më të shpejtë të votave dhe do të ketë më shumë pika kontrolli. Por ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që të jetë një justifikim për parregullsi të tjera. Kjo bën që të zgjerohet procesi në vetvete, dhe të hapet rrjeta e manipulimit të votave. Sidoqoftë, ky është një proces dytësor i procesit zgjedhor.

-Jemi në një vit elektoral, dhe KQZ ende nuk ka dalë me një vendim për rishpërndarjen e mandateve. Mazhoranca nuk ankimoi në Kolegjin Zgjedhor vendimin e marrë nga KQZ, i cili nuk lejoi ndryshimin e shperndarjes se mandateve në vend. Ka zëra se PD-PS janë dakord që mos të ketë lëvizje mandatesh, ju si e gjykoni?

Sorollatjet për rishpërndarjen e mandateve, janë difekt i ligjit që kemi zgjedhur, me 12 qarqe e prefektura dhe rajone. I gjithë ky debat është shenjë e manipulimit të zgjedhjeve. Me ligjin aktual, Shqipëria është ndarë blu dhe rozë. Pra, nëse do të kishim një ligj tjetër me një listë unike, e gjithë Shqipëria do të shkonte e qetë për të votuar. Kryeministri Sali Berisha, kreu i PD, nga e gjithë kjo situatë nxjerr maksimumin e përfitimit. Pala tjetër duhet të kuptonte se, duke bërë një ligj të tillë për të përjashtuar rivalët e vegjël, i bëri dëm vetes. Hoqi nga loja shumë forca dhe individë, që duke marrë atë që meritonin, do ta kishin ngjyrosur ndryshe hartën politike të 2013. E gjithë përgjegjësia bie mbi binomin PD dhe PS. Tashmë, nuk kanë kujt t’i ankohen sepse e kanë zgjedhur vetë këtë sistem.

-Sfida e parë për këtë vit e Parlamentit shqiptar, janë votimi i tre ligjeve. Mendoni se ishin pikërisht këto ligje që bllokuan marrjen e statusit? Dhe a duhet të japë ‘ok’ opozita për këto ligje, duke mos implikuar çështjen e Fierit?

Shqipëria e ka humbur statusin edhe për tre ligjet, por jo vetëm. E kemi humbur statusin për një sjellje të gjatë konfliktuale në politikën shqiptare. Kjo lloj politike nuk i pëlqen ndërkombëtarëve. Duke u afruar zgjedhjet gjithnjë e më afër, edhe Europa mendon që kjo temë të përcillet. Ata gjykojnë që tani janë më të rëndësishme zgjedhjet parlamentare të 2013, për të hapur më pas negociatat me Europën. Politika shqiptare duhet të tregojë edhe pjekuri në respektimin e pavarësisë së institucioneve. Nuk ka më asnjë lloj logjike që opozita të vazhdojë të mos votojë tre ligjet. Do të ishte një kohë e humbur nëse do të vijonin të mos votonin ligjet. Do të ishte një kohë burokratike. Nga shtatori i vitit që vjen kjo temë do të ripërsëritej, dhe atëherë do të bëhej akoma më e rrezikshme. Sfida e fundit dhe më kryesore që është vënë nga Brukseli, janë zgjedhjet e 2013. Dhe kështu nuk do t’ia vlente që në këtë mes të ngatërroheshin edhe tre ligjet.

-Në fundin e vitit që lamë pas u vu re një nacionalizëm i flaktë i qeverisë, kryesisht nga kryeministri Sali Berisha. Vendimi për dhënien e pasaportave dhe deklarata e kryeministrit se, Shqipëria shtrihet deri në Prevezë, shkaktuan reagime. Si i vlerësoni këto dy qëndrime?

Kjo lloj ideje vë në qendër të politikës shqiptare centralitetin e shtetit shqiptar, e qeverisë së Tiranës. Qendra e botës shqiptare dhe e biznesit mbetet shteti amë, Shqipëria. Shqiptarët që janë duhet të kërkojnë pasaportën e shtetit shqiptar. Deklarata e kryeministrit Berisha ishte një deklaratë e bërë nën pasionin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë. Shqipëria e sotme, fatkeqësisht, nuk shtrihet deri në Prevezë. Si çdo popull i Ballkanit edhe ne kemi pasur tkurrjet apo zgjerimet në territorin tonë.  

-Fundi i vitit 2012 ka qenë edhe një vit që iu dedikua vlerësimit të disa figurave historike, si dhe rikthimi i eshtrave të mbretit Ahmet Zogu. Si e vlerësoni qëndrimin e qeverisë lidhur me vlerësimin e këtyre figurave historike?

Unë mendoj se vlerësimi i figurave historike ka qenë të paktën gjëja më e mirë që ka ndodhur për vitin 2012. Historia as nuk bëhet në një ditë dhe as nuk shkruhet në një ditë. 100-vjetori i Pavarësisë dhe figurat historike kanë rëndësinë e tyre. Viti 2012 ka hapur një proces, ndryshe nga ai dekadave më përpara. Vlerësimi i figurës së Zogut ishte shumë pozitive. Zogu është kontribuesi më i madh në shtetformimin shqiptar për shkak të një vizioni si shtetar. Ai u përpoq që ta kthejë Shqipërinë nga një provincë prej feudi në një shtet të vogël. Pjesa më e madhe e kontributit të tij ka qenë pozitiv, dhe ia vlen të rivlerësohet. Nuk i gjykoj aspak ata që janë kritik, le ta gjykojnë edhe pjesën e errët të kësaj historie.

-Jemi në një vit elektoral dhe sigurisht partitë e vogla do të pozicionohen në krah të partive të mëdha. Në cilin koalicion do të pozicionohet Lëvizja për Zhvillim Kombëtar?

LZHK deri më sot ka mbajtur një qëndrim të pavarur. Por me këtë ligj të mbrapshtë, koalicionet janë bërë të detyrueshme. Dhe kur janë bërë të detyrueshme, gjithësekush do të afrohet me ato parti që janë më afër historikisht dhe politikisht. Por edhe për hir të interesave të konjukturave të momentit. Ky është një ligj që krijoi mbipolarizimin politik në tavolinë. Ligji krijoi mbipartitizmin në dëm të ideve alternative, të njerëzve alternativë dhe zgjerimit të lirisë së demokracisë në Shqipëri.

-Si e parashikoni rolin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet që do të vijnë?

LSI është një forcë më tepër pragmatiste sesa ideore. Nuk e di se në cilin krah do të jenë këtë radhë. Ne si LZHK kemi këtë lloj pozicioni, jemi në qendër të së djathtës tradicionale. Aty kemi qenë, atje do të qëndrojmë. Shpresoj që kësaj ideje t’i bashkohen edhe shumë të tjerë.

-Pas acarimit pjesërisht të marrëdhënieve me shtetin grek për shkak të deklaratës nacionaliste të kryeministrit Berisha, u shtuan thirrjet për largimin e kryepeshkopit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Anasta Janullatos. Do të ishte i drejtë largimi i tij, sipas gjykimit tuaj?

Pas 20 vjetëve, Kisha Autoqefale Shqiptare ka detyrimin të nxjerrë një prelat shqiptar. Zotërinë duhet ta falenderojmë për kontributin që ka dhënë, dhe vetëm kaq. Ka ardhur koha që vetë ambienti kishtar të marrë vendimin që të nxjerrë një personazh shqiptar në krye. Intervistoi: Eneida Jaçaj

Monday, January 7, 2013 - 10:40
Total votes: 32