Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Këshilltarët e Bujar Nishanit, spiunë të Sigurimit të Shtetit, ish të përndjekurit kërkojnë largimin e Amik Kasoruhos

 Këshilltarët e Bujar Nishanit, spiunë të Sigurimit të Shtetit, ish të përndjekurit kërkojnë largimin e Amik Kasoruhos

Spiunët e Sigurimit të Shtetit, të  strukturës më mizore dhe famëkeqe të regjimit komunist, 23 vite pas përmbysjes së diktaturës, vijojnë të vegjetojnë në poste të rëndësishme drejtuese, në institucionet kryesore të shtetit shqiptar. Spiunët e Sigurimit të Shtetit, shkatërrues të qindra familjeve dhe të mijëra jetë njerëzisht të pafajshëm, vegjetojnë në Kuvendin e Shqipërisë, në Presidencë, në Këshillin e Ministrave, në prokurori, në gjykata, në Ushtri etj. Tingëllon paksa ironike, por disa prej tyre, kanë në dorë dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ndërsa flasin edhe për ligjin e hapjes së dosjeve. Ndërkaq, disa këshilltarë të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, rezultojnë spiunë të Sigurimit të Shtetit, ku me raportimet e tyre kanë fikur disa jetë njerëzish. Konstatimi ka ardhur nga shoqata e ish të përndjekurve politikë, me në krye Skënder Tufën, ish-koordinatori i grevës së urisë. Ish të përndjekurit politikë akuzojnë presidentin Nishani, se e ka mbushur institucionin e Presidencës me spiunë të Sigurimit të Shtetit dhe me njerëz me të kaluar të zezë komuniste. Me anë të një deklarate, ata akuzojnë Presidentin se ka dekoruar njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Të përndjekurit përmendin edhe një shembull konkret. Bëhet fjalë për Amik Kasoruhon, këshilltar i presidentit Nishani, por i implikuar në Sigurimin e Shtetit. Ata deklarojnë se Partia Demokratike është kthyer në një ombrellë e spiunëve. “Mësuam edhe një herë se këshilltari i presidentit Nishani, z Amik Kasoruho, ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ky person ka marrë dekoratën “Nderi i Kombit” për rezistencë në burgje kundër diktaturës, veprim ky që fyen qindra martirë të vërtetë, të cilët rezistuan realisht e sot ndoshta jetojnë në mjerim dhe të harruar. Për këtë arsye, kërkojmë t’i hapet dosja Amik Kasoruhos dhe t’i hiqet menjëherë titulli që mban padrejtësisht. Gjithashtu, kërkojmë që Presidenti, me autoritetin që i jep posti i lartë që mban, të ndikojë tek Parlamenti i ardhshëm për miratimin e ligjit të lustracionit, si një kërkesë edhe e organizmave ndërkombëtare, me qëllim që të kuptojmë se kush e drejton politikën shqiptare”, thuhet në deklaratë.

Hapja e dosjes

Pas rrëzimit të kryeminsitrit Berisha, i njohur si armiku dhe sabotuesi më i madh i ligjit të lustracionit, ish të përndjekurit politikë kërkojnë hapjen e dosjeve. “Edhe një herë, ne të burgosurit politikë, deklarojmë se është e nevojshme që të aprovohet dhe të vihet në zbatim ligji i lustracionit, për të pasur mundësinë që shteti dhe qeveria të ecin përpara, duke i bërë hijet e së kaluarës që të heshtin. Ligji i lustracionit është edhe një kërkesë e onanizmave ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë. Më tej, ish të përndjekurit ndalen sërish tek këshilltarët e Presidentit. “Qeveritë diktatoriale e ushtrojnë diktatin e tyre nëpërmjet spiunëve, të cilët i grafojnë dhe i dekorojnë, duke u dhënë mundësi që të lustrojnë krimet e tyre. Amik Kasoruho, këshilltar i Presidentit, i cili pati paturpësinë të atakojë veprimin heroik të dëshmorit të demokracisë, Lirak Bejko, del se është spiun i sigurimit dhe për këtë arsye, ne të burgosurit politikë i jemi drejtuar sot zyrës së Presidencës, që t’i heqë atij dekoratën e pamerituar”, tha ai.  

PD, oaz për spiunët

Ishin kyçi i mekanizmit barbar dhe mizor të regjimit komunist, por 23 vite pas përmbysjes së diktaturës, ata vegjetojnë dhe shpeshherë shesin moral, në krye të piramidës së drejtësisë, në majat e administratës shtetërore, në ballë të listave për kandidatë për deputetë, në sistemin arsimor, në art dhe në çdo qelizë të shtetit shqiptar. Ata po lulëzojnë, kanë në duar taksat e shqiptarëve, luajnë me pasuritë publike, u premtojnë të përndjekurve dëmshpërblim dhe po bëjnë një karrierë të shkëlqyer, falë një njeriu, që quhet Sali Berisha, i cili pasi i mblodhi ata në Partinë Demokratike, i përdori për të mbajtur pushteti dhe për të ruajtur dinastinë e tij. Bëhet fjalë për spiunët e Sigurimit të Shtetit, për njerëzit që kanë shkatërruar qindra familje dhe që kanë firmosin ekzekutimin e dënimin e qindra të pafajshmish. Ata njihen ndryshe si xhelatët në hije të regjimit gjakatar komunist dhe instrumenti i terrorit të diktaturës. Që nga themelimi i saj e deri më sot, Partia Demokratike, me në krye Sali Berishën, u kthyer në një ombrellë dhe oaz për spiunët e sigurimit të shtetit. Pakti i shtet i fshehtë, por i qartë dhe efikas. Sali Berisha u premtoi mbrojtje dhe karrierë, ndërsa ata do të punonin për dinastinë e tij.

Pasardhësit e nomenklaturës

Arsyeja se pse kryeministri Berisha, prej 22 vitesh, ka sabotuar çdo nismë për hapjen e dosjeve të regjimit komunist, lidhet me të kaluarën e tij të zezë si doktor i Bllokut dhe si njeri i afërt i familjes së diktatorit Hoxha. Kjo vërtetohet nga dokumentet dhe fotografitë. Por, kryeministrin Berisha e tmerron gjithashtu miratimi i ligjit të lustracionit, pasi një projekt i tillë do të zbardhte pasardhësit e nomenklaturës dhe spiunët e Sigurimit të Shtetit, të cilët përbëjnë kupolën e Partisë Demokratike. Tejzgjatje e Partisë Komunistë, defakto është Partia Demokratike dhe jo Partia Socialiste, sikundër pretendon kryeministri Berisha. Po kush janë pasardhësit e nomenklaturës dhe të Byrosë Politike në Partinë Demokratike, të cilët hiqen si anti-enveristë të zellshëm sa për të mbajtur pushtetin? Lista kryesohet nga kryeministri Berisha, Ilir Rusmali, Genc Pollo, Jemin Gjana, Bujar Nishani, Astrit Patozi, Viktor Gumi etj. Pa dyshim që grupi i pasardhësve të nomenklaturës në PD kryesohet nga komunisti i devotshëm, Sali Berisha, i cili si për ironi të fatit, drejton prej 22 vitesh Partinë Demokratike. Pas rënies së regjimit komunist, Berisha u bë mburoja më e sigurt e Byrosë Politike dhe e spiunëve të Sigurimit të Shtetit. Adriatik Doçi

 

Friday, July 19, 2013 - 10:49
Total votes: 28