BREAKING NEWS

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre ‘Rithemelimit’, arsyet e vërteta të distancimit të grupit të Bardhit nga Lulzim Basha, panikun që ka shpërthyer brenda tyre dhe lajmet e hidhura që e presin Sali Berishën

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’, përveç Metës, Berishës dhe Shkëlzenit rrezikon prangat një juriste amerikane, ish-presidenti po përgatitet për ditët e zeza në SPAK, ja strategjia që po ndjek për të shpëtuar nga arresti me burg...

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’,
x
BREAKING NEWS

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për të monitoruar SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja pse është alarmuar “Treknëdëshi i Bermudës”

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për
x
BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x

Politike

Kristo Frashëri: Emri i Enver Hoxhës s’mund të fshihet nga LANÇ, PKSH hoqi dorë nga programi politik për luftën patriotike, Balli dhe Legaliteti bashkëpunuan me gjermanët dhe qeveritarët kuslingë

Kristo Frashëri: Emri i Enver Hoxhës s’mund të fshihet nga
Sot ne kemi mundësi ta vështrojmë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (shkurtimisht: LANÇ-in), jo si dikur nën presionin e saj, por si ngjarje që tashmë ka hyrë në histori. Kjo për arsye se pas 70 vjetësh, kanë ndryshuar rrënjësisht faktorët historikë, që vepronin në kohën e saj. Sot, Shqipëria është një vend i lirë dhe i pavarur, një anëtar me të drejta të barabarta, në gjirin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Para shqiptarëve nuk ekziston si atëherë, detyra patriotike për të rrëmbyer armët kundër okupatorit të huaj.
 
Partia Komuniste Shqiptare, e cila e udhëhoqi Luftën Nacionalçlirimtare dhe e shfrytëzoi atë si kapital, për të siguruar pushtetin politik, nuk ndikon më në opinionin publik shqiptar. Edhe organizatat e djathta si Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit, të cilat vepruan si kundërshtare politike të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, sot janë rrudhur në organizata anemike. Nga ana tjetër, forcat njerëzore partizane, mbrojtësit më të flaktë të vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, janë pakësuar së tepërmi. Pra ata, nuk kanë më peshën që kishin 70 vjet më parë në opinionin publik të vendit. 
 
Në këto kushte, opinioni publik shqiptar i ditëve tona, ka gati një çerekshekulli që ndodhet në qerthullin e debateve të hapura, ndërmjet rrymave të djathta dhe të majta mbi vlerat e LANÇ-it. Duke qenë nën trysninë e ngjarjeve me pasoja të dhimbshme, që pësuan shqiptarët gjatë regjimit komunist 40-vjeçar, disa historianë e kundrojnë Luftën Nacionalçlirimtare me nota negative. Ky këndvështrim është pa dyshim i gabuar. Shkenca historiografike kërkon, që çdo epokë të vlerësohet në ballafaqim me epokën e mëparshme. Pra LANÇ-i, duhet të ballafaqohet me kontributin, që ajo solli në krahasim me statusin politik të mëparshëm të Shqipërisë, dhe jo në ballafaqim me rendin shoqëror që u vendos Pasluftës. 
*
Gjatë Luftës së Dytë Botërore bota ishte ndarë në dy rreshtime politike. Në njërën anë qëndronin anëtarët e bllokut të agresorëve gjermano-italo-japonezë, të cilët kërkonin të vendosnin me dhunë diktaturën fashiste në mbarë njerëzimin. Anën tjetër e përfaqësonin anëtarët e kampit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, të cilët luftonin për mbijetesën e vendeve të tyre dhe në të njëjtën kohë për lirinë dhe pavarësinë e popujve të robëruar. Në ato vite të përgjakshme, edhe Shqipëria ishte ndarë në dy rreshtime opozitare të ngjashme. Nga njëra anë, qëndronin qeveritarët kolaboracionistë, të cilët hynë në shërbim të agresorëve nazifashistë dhe për pasojë, e përfshinë Shqipërinë formalisht në bllokun e tyre. Nga ana tjetër, u radhitën forcat patriotike shqiptare, të cilave u takonte detyra të luftonin për pavarësinë e vendit. 
 
Në marsin e vitit 1939 Henri Valloni, deputet i majtë frëng, vinte në dukje se në mbarë botën qarqet fashiste nacionale vepronin për të zgjeruar kufijtë e shteteve të tyre të pavarura. Vetëm fashistët shqiptarë, theksonte ai, vepronin për ta përfshirë Shqipërinë nën zgjedhën e Italisë fashiste. Kjo u vërtetua një muaj më vonë. Me pushtimin në prill të vitit 1939 Italia fashiste nuk i shkaktoi Shqipërisë vetëm humbjen e pavarësisë kombëtare. Ajo i krijoi asaj, edhe rrezikun e zhdukjes së shqiptarëve si komb. Kjo për arsye të planit që kishte Musolini për ta italianizuar Shqipërinë, nëpërmjet kolonizimit të saj me banorë italianë. Mjafton të kujtojmë se deri në fund të vitit 1939, pra brenda tetë muajve të parë të pushtimit, ishin vendosur në Shqipëri rreth 52 mijë banorë italianë, pa llogaritur repartet ushtarake. Vetëkuptohet, se kolonizimi po të vazhdonte me këtë ritëm, brenda disa dhjetëvjeçarësh Shqipëria do ta humbiste fytyrën e saj etnike.
Shqiptarët që dëshironin pavarësinë e atdheut, u rreshtuan vetvetiu në kampin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan, i cili u formua në vjeshtën e vitit 1941. Hapin e parë në organizimin e rezistencës së armatosur e kryen komunistët shqiptarë, me themelimin më 8 nëntor 1941 të partisë së tyre marksiste-leniniste (PKSh-në). Që ditën e themelimit, PKSh-ja hoqi dorë nga programi i saj politik me karakter ideologjik: pra, hoqi dorë nga organizimi i revolucionit socialist dhe nga vendosja e diktaturës së proletariatit. Me porosi të Kominternit, ajo vuri në themel të programit të saj, luftën patriotike për të çliruar atdheun nga okupatori fashist italian, për të rimëkëmbur pavarësinë kombëtare të mohuar, dhe për të vendosur në Shqipëri demokracinë popullore. 
 
Nismën për të realizuar bashkimin në shkallë kombëtare të mbarë shqiptarëve në luftë kundër okupatorit të huaj, e mori Partia Komuniste Shqiptare me organizimin prej saj të Konferencës së Pezës, më 16 shtator 1942. Në Pezë komunistët propozuan formimin e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, si organ i përbashkët i luftës çlirimtare, pa ngjyrime politike. Përkundrazi, demokratët nacionalistë të djathtë, të bindur se gëzonin epërsi në opinionin publik, e refuzuan platformën e Pezës me motivacionin, se nuk ishin të prirur të bashkëpunonin me faktorët komunistë, as në çështjen nacionale. 
 
Ndërsa udhëheqësit e lëvizjes nacionalçlirimtare mendonin, se lufta kundër agresorëve fashistë do ta rreshtonte Shqipërinë në radhët e aleatëve të kampit të madh antifashist. Ngjarjet e mëvonshme vërtetuan se vija politike e LANÇ-it ishte e drejtë.
 
Fakti është se më 10 korrik 1943 LANÇ-i krijoi ushtrinë nacionalçlirimtare me batalione dhe brigada, me në krye një shtab të rregullt ushtarak, ndërsa njësitet e armatosura të Ballit Kombëtar ngelën në stadin e çetave të vogla fshatare. Kur më 25 korrik 1943 pas shkarkimit të Musolinit si diktator, u duk i afërt kapitullimi i Italisë, Balli Kombëtar pranoi të hynte në koalicion me LANÇ-in, në luftë kundër okupatorit fashist. Kështu, në fillim të gushtit 1943 Balli Kombëtar lidhi në Kuvendin e Mukjes aleancë me PKSh-në, për luftë të përbashkët kundër okupatorit. Por aleanca dështoi. Dështoi për arsye, se Balli Kombëtar nuk pranoi të hynte në luftë kundër okupatorëve gjermanë, përkundrazi kërkoi, që shqiptarët të ndërmerrnin luftë të armatosur kundër çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë, të cilët ishin aleatë të Kampit të Madh. 
 
Krerët e LANÇ-it mbajtën një qëndrim të ndryshëm. Kosova nuk mbrohej duke luftuar krah për krah me hordhitë hitleriane kundër forcave antifashiste jugosllave. Lufta kundër forcave antifashiste jugosllave, aleate e kampit të madh antifashist, e stigmatizonte lëvizjen nacionaliste shqiptare si kolaboracionizëm me politikën hitleriane. Për këtë arsye, ajo nuk do të sillte çlirimin e Kosovës, por vazhdimin e vargonjve të robërimit të kosovarëve nën Jugosllavinë. Përkundrazi, sipas credo-s nacionalçlirimtare, e cila mbështetej në Kartën e Atlantikut dhe në atë të Kombeve të Bashkuara, kapitali i çmuar që do të ndihmonte kosovarët të fitonin të drejtat e tyre kombëtare, ishte angazhimi i tyre në luftë kundër garnizoneve nazifashiste italo-gjermane. Sipas zotimeve të koalicionit antifashist, ky kapital do t’u jepte kosovarëve mundësinë të zgjidhnin ata vetë pas luftës, me votë plebishitare, ardhmërinë e fatit të tyre. Nëse vendimi i Kuvendit të Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk u vu në jetë, përgjegjësia nuk ishte e komunistëve shqiptarë, por e titistëve jugosllavë, të cilët i detyruan autorët e rezolutës së Bujanit, të hiqnin dorë nga vendimi që kishin marrë në fillim të vitit 1944.
 
Kështu, Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili i qëndroi besnik luftës patriotike që nga fillimi e deri në fund, ka meritën se më 29 Nëntor 1944 e çliroi përfundimisht Shqipërinë e robëruar dhe rimëkëmbi pavarësinë e Atdheut.
 
*
Lufta Nacionalçlirimtare nuk qe vetëm një luftë politike, por edhe një revolucion demokratik popullor. Me demokracinë popullore udhëheqësit e LANÇ-it, përfshirë edhe udhëheqësit komunistë, nënkuptonin një demokraci , e cila të mbronte interesat e shtresave të gjera të popullsisë shqiptare. Detyrat që demokracia popullore synonte të zgjidhte në Shqipëri ishin këto: zhdukjen e mbeturinave feudale në fushën e pronësisë bujqësore, mënjanimin e ndikimit që ushtronin bejlerët dhe çifligarët në administratën qeveritare, nxjerrjen përfundimtare të bajraktarëve nga shoqëria malësore, krijimin e organizatave shoqërore që mbronin interesat e punës, barazimin e plotë të gruas me burrin në fushën e të drejtave shoqërore, pjesëmarrjen e gruas njësoj si burri në administratën shtetërore, masivizimin e arsimit deri në zhdukjen e analfabetizmit, zhvillimin e hovshëm të kulturës dhe artit shqiptar, lirinë e plotë të mendimit, të fjalës, të lëvizjes, të shtypit, më në fund- rreshtimin e pakushtëzuar të Shqipërisë në koalicionin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
 
Mund të pohojmë pa mëdyshje se asnjë nga këto detyra nuk kishin në përmbajtjen e tyre, karakter komunist. Ato i takonin programit të demokracisë së majtë, mbasi nuk e preknin pronën private. 
*
Sipas disa historianëve, me emërimin e Enver Hoxhës në Kongresin e Përmetit si kryetar i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar me atributet e qeverisë së përkohshme, u legjitimua vendosja e regjimit komunist në Shqipëri. Ky përcaktim nuk është i drejtë. Karakterin politik të një qeverie e përcakton programi politik i saj, dhe jo përkatësia partiake e anëtarëve të qeverisë, dhe as ajo e kryeministrit të saj. Në Kongresin e Përmetit nuk u trajtua vendosja e regjimit komunist në Shqipëri. Vendimet flasin për një regjim demokratik popullor, të cilën e miratuan të gjithë kongresistët. Por, Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit, me qëndrimin që mbajtën gjatë operacionit të dimrit, e përjashtuan veten e tyre nga pjesëmarrja në Kongresin e Përmetit. Nuk duhet harruar se Enver Hoxha i Kongresit të Përmetit nuk ishte Enver Hoxha i Kongreseve të Partisë së Punës. Kur u mblodh Kongresi i Përmetit, ai nuk njihej si burrë shteti. Emri i tij ishte shpallur një vit më parë në Labinot si komisar politik. Ta stigmatizosh Enver Hoxhën e vitit 1944, siç veprojnë disa gazetarë të ditëve tona, me tiparet që ai krijoi në vitet e regjimit komunist, është logjikë antihistorike. 
 
Nuk mund të heshtim në këtë referat pa e prekur, çështjen e ngritur nga disa historianë, nëse në Shqipëri regjimi komunist i Pasluftës i ka rrënjët e veta historike në gjirin e Luftës Nacionalçlirimtare. Ne nuk e pranojmë këtë lidhje gjenetike midis regjimit komunist dhe Luftës Nacionalçlirimtare. Nuk duhet të harrojmë, se shumica dërrmuese e partizanëve luftëtarë, po ashtu dhe një shumicë e konsiderueshme e komandantëve, me përjashtim të komisarëve politikë, nuk ishin anëtarë të Partisë Komuniste. Sipas të dhënave zyrtare, kur u çlirua Shqipëria, Ushtria Nacionalçlirimtare kishte afërsisht shtatëdhjetë mijë luftëtarë dhe luftëtare - kurse Partia Komuniste, brenda dhe jashtë ushtrisë, dy mijë anëtarë. Kjo do të thotë se Ushtria Nacionalçlirimtare ishte potencialisht armatë e faktorit jo komunist, që luftonte si aleate me Partinë Komuniste në lëvizjen nacionalçlirimtare. 
*
Kundërshtarët e PKSh-së e stigmatizojnë LANÇ-in, se ajo nuk ishte një luftë patriotike, por luftë civile midis dy rreshtimeve politike antagoniste shqiptare. Ne kemi mësuar, se lufta civile, lufta midis rreshtimeve politike për çështjen e pushtetit nuk mund të zhvillohet në kushtet, kur vendi është nën zgjedhën e huaj, pasi në këtë rast pushtetin e ka në dorë okupatori i huaj. Si rrjedhim, nuk mund të kemi luftë civile në Shqipëri për sa kohë, që ajo ishte e pushtuar nga ushtritë naziste gjermane. Për këtë arsye, ne nuk mund të pajtohemi me historianin amerikan Bernd Fischer, i cili ballafaqimin e armatosur midis partizanëve dhe ballistëve që ndodhi gjatë operacionit të dimrit, e cilëson luftë civile. Ne pranojmë arsyetimin që sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit Cordell Hull, quante më 6 tetor 1944 luftë civile vetëm përleshjen e armatosur, që mund të ndodhte në Shqipëri, midis partizanëve dhe kundërshtarëve të tyre zogistë, pas largimit të ushtrive hitleriane nga vendi. 
*
Këtu lind pyetja: si shpjegohet që PKSh-ja, një organizatë politike pa tradita patriotike, tre vjet pasi u themelua, mori në dorë pushtetin politik, kurse faktorët nacionalistë demokratë me tradita politike pësuan disfatë?
 
Historia e njerëzimit ka prova jo të pakta, të cilat tregojnë se komponenti me peshë në fitoren e një lufte është kauza e drejtë e luftës. Nuk ka dyshim se kauza që frymëzoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare – çlirimi i Shqipërisë dhe rimëkëmbja e pavarësisë së saj – ishte e shenjtë. Edhe ambienti historik ndërkombëtar, në të cilin ajo u zhvillua, rreshtimi i saj në kampin antifashist anglo-sovjeto-amerikan – ishte i shëndoshë. Meqenëse në Shqipëri nuk pati asnjë ndërhyrje ushtarake nga jashtë, as britanike, as amerikane, as sovjetike, nga ky fakt, shpjegimi duhet kërkuar te faktorët vendas. Shpjegimin më bindës duhet ta kërkojmë te qëndrimi thellësisht i gabuar që mbajtën faktorët e djathtë shqiptarë. Në vend që të luftonin kundër okupatorit të huaj hitlerian, ballistët dhe legalistët bashkëpunuan - të parët me okupatorin gjermano-hitlerian, të dytët me qeveritarët kuislingë kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Me këtë qëndrim të gabuar politik, ata i dhanë dorë lëvizjes nacionalçlirimtare dhe PKSh-së, të siguronin monopolin e fitores së luftës patriotike dhe, si rrjedhim, të vendosnin pa vështirësi regjimin komunist në vend.
*
Ka kohë që po dëgjojmë prirjen për të shkëputur Luftën Nac-Çl. nga udhëheqësit e saj, dhe kryesisht nga Enver Hoxha. Kjo për arsye të gabimeve që ai kreu me diktaturën komuniste të Pasluftës. Nuk duhet harruar se LANÇ-i ishte një ndërmarrje madhështore, të cilën e projektuan, e organizuan dhe e udhëhoqën deri në fitore, grupe njerëzore me identitet të përcaktuar politik. Të vlerësosh veprën dhe të injorosh arkitektët, kur ata njihen, është dobësi. Jezu Krishti në kohën e vet nuk e donte Jul Qezarin. Megjithatë, ai i porosiste besnikët e vet: Jepini Qezarit atë që i takon Qezarit.
 
Për kontributin që Enver Hoxha dhá gjatë luftës, historianët nuk duhet ta gjykojnë atë për prapësitë që ai kreu pas luftës, si diktator i regjimit 40-vjeçar komunist. Veprimet e mbrapshta të kryera në një epokë nga një personalitet, nuk duhet të mbulojnë veprimet e mbara, që po ai personalitet realizoi në një epokë tjetër. Vetëm një të vërtetë të patundur nuk duhet ta harrojmë – veprën e një periudhe, të mos e gjykojmë me syzet e një periudhe tjetër - pra Luftën Nacionalçlirimtare të mos e gjykojmë me prapësitë, që ndodhën pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka pra arsye, përse gabimet që kreu E. Hoxha pas luftës gjatë regjimit komunist, të na pengojnë që të vlerësojmë kontributin që ai dha - si një nga udhëheqësit e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
 
Enver Hoxha nuk e themeloi Partinë Komuniste. Projekti i Luftës Nacionalçlirimtare nuk ishte vepër e tij. As sukseset e Luftës Nacionalçlirimtare nuk kishin për autor Enver Hoxhën. Në të vërtetë, Lufta Nacionalçlirimtare ishte vepër e shtresave të gjera të popullsisë shqiptare, e dashurisë së tyre për lirinë e atdheut, e gatishmërisë së tyre për të dhënë jetën në dobi të çlirimit të vendit dhe për të rimëkëmbur pavarësinë e Shqipërisë. Atë e organizoi Partia Komuniste Shqiptare e veshur jo me kominoshet e proletarit ndërkombëtar, por me fustanellën e lëvizjes patriotike shqiptare. Enver Hoxha u shpall Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Kongresin e Përmetit, pa qenë deri atëherë ushtarak. Sigurisht, që ai nuk është pa merita, por jo në atë masë sa është brohoritur për 40 vjet me radhë. Merita e tij qëndron te roli që ai luajti në veprën e Partisë Komuniste si organizatore e Luftës Nacionalçlirimtare. Sigurisht që edhe prirja që vihet re për ta fshirë emrin e tij nga historia e Luftës Nacionalçlirimtare është e tepruar.
 
Çfarë vendi zë në historinë e Shqipërisë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare? Sipas vlerësimit të historisë botërore, rezultati më i lartë, që çdo popull ka arritur gjatë historisë është krijimi i shtetit kombëtar të pavarur. Meqenëse pavarësinë, Shqipëria e humbi më 7 prill 1939, si detyrë parësore për mbarë shqiptarët u shtrua përsëri rimëkëmbja e pavarësisë kombëtare të humbur. Pikërisht kjo ishte detyra parësore e Luftës Nacionalçlirimtare. Orvatjet që ndërmerren për të mbivlerësuar lëvizjet e brendshme, përmbi pavarësinë kombëtare, janë thellësisht të gabuara. Regjimet politike venë e vijnë. Ato fitohen me revolucione të brendshme apo me zgjedhje parlamentare. Por pa pavarësinë kombëtare ato nuk mund të realizohen. 
Përfundimisht mund të thuhet, se për hir të kontributit që Lufta Nacionalçlirimtare dhá - ajo zë pa pikë dyshimi vendin e dytë pas Kuvendit historik më 28 Nëntor 1912.
 
 

Më të lexuarat