BREAKING NEWS

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre ‘Rithemelimit’, arsyet e vërteta të distancimit të grupit të Bardhit nga Lulzim Basha, panikun që ka shpërthyer brenda tyre dhe lajmet e hidhura që e presin Sali Berishën

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’, përveç Metës, Berishës dhe Shkëlzenit rrezikon prangat një juriste amerikane, ish-presidenti po përgatitet për ditët e zeza në SPAK, ja strategjia që po ndjek për të shpëtuar nga arresti me burg...

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’,
x
BREAKING NEWS

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për të monitoruar SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja pse është alarmuar “Treknëdëshi i Bermudës”

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për
x
BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x

Politike

Ligji i ri, ja si do ruhen sekretet e NATO, metodat e përgjimit dhe pajisja me certifikatë e personelit ushtarak

Ligji i ri, ja si do ruhen sekretet e NATO, metodat e përgjimit dhe pajisja
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, po merr masa ekstreme sa i takon menaxhimit të sekreteve të NATO, pas shqetësimeve dhe akuzave për rrjedhjen e sekreteve të aleancës tek shërbimet ruse dhe serbe në kohën kur Ministria e Mbrojtjes drejtohej nga Arben Imami. Projektligji i ri për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes parashikon rregulla dhe procedura të tjera për menaxhimin e informacioneve të klasifikuara, ndërsa do të verifikohet në hollësi figura e drejtuesve të agjencisë. Neni 25 i projektligjit përbën risi, pasi përcakton në mënyrë të detajuar dhe të saktë mënyrën e  shpërndarjes së informacionit të klasifikuar që përftohet nga veprimtaria informative e Agjencisë dhe personit që  ka të drejtën për t’u njohur me këtë informacion. Ky nen bën të mundur edhe një herë qartësimin e detyrave të Agjencisë, përcaktimin e autoriteteve të cilave u shpërndan produkte inteligjente shumëburimshe, përcaktimin e detyrimit që kanë personat, të cilët për shkak të detyrës u duhet të njihen me informacion të klasifikuar, për t’iu nënshtruar  procedurave të verifikimit të pastërtisë së figurës dhe pajisjes me “certifikatë sigurie”, si dhe përcaktimin e  marrëdhënieve të  kësaj Agjencie me mediat elektronike dhe opinionin publik. Risi e projektligjit është edhe fakti i sanksionimit të ruajtjes së informacionit të klasifikuar, i cili përfitohet nga veprimtaria informative e Agjencisë, informacion i cili ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar  “sekret shtetëror” dhe të “NATO-s. Gjithashtu, ky projektligj sanksionon detyrimin e punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes që të ruajë informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” dhe të NATO-s gjatë ushtrimit të detyrës dhe pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës me këtë Agjenci. Në rastet e shkeljes, kur nuk përbën vepër penale, ndaj personave përgjegjës merren masa disiplinore, sipas dispozitave të projektligjit.
 
Metodat 
 
Në projektligj janë përcaktuar në mënyrë të qartë format dhe metodat e grumbullimit të informacionit që përdor Agjencia në përmbushjen e veprimtarisë së saj. Të gjitha këto forma dhe metoda, të cilat janë: bashkëpunimi me individë, përdorimi i mbikëqyrjes së fshehtë, krijimi dhe përdorimi i evidencës operative, përdorimi i mjeteve teknike dhe elektronike, janë mbështetur në standardet bashkëkohore të legjislacionit që rregullon veprimtarinë e agjencive të inteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes së vendeve të NATO-s, me qëllim qartësimin e mëtejshëm të natyrës së veprimtarisë së Agjencisë dhe do të bëhen në përputhje me rregulloren e miratuar nga ministri i Mbrojtjes dhe Prokurori i Përgjithshëm, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, ndërsa përgjimi i telekomunikimeve dhe kontrolli postar për sigurimin e informacionit të nevojshëm do të bëhen sipas legjislacionit në fuqi për përgjimin e telekomunikimeve. 
 
Verifikimi i personelit ushtarak
 
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes do të marrë pjesë në procedurat për pajisjen me “certifikatë sigurie” dhe “certifikatë sigurie industriale” të personelit ushtarak dhe civil të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura, të personelit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, si dhe të subjekteve që kërkojnë të hyjnë në marrëdhënie me to. Një nga detyrat e Agjencisë është edhe arsimimi dhe trajnimi i personelit të saj, si dhe i personelit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, në kuadër të sistemit arsimor të Ministrisë së Mbrojtjes, për çështje të veprimtarisë së Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes do të garantojë sigurinë e veprimtarisë së vet, të të dhënave të personelit, të kontraktuesve dhe të burimeve materiale që ka në zotërim, do të kryejë veprimtari mbështetëse tekniko-administrative për interes të vet.
 
Pjesë nga projetkligji i ri për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes
 
Neni 2
Misioni
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes mbështet autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura dhe Forcat e Armatosura me inteligjencë në fushën e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë, në përmbushje të misionit të tyre kushtetues.
 
Neni 3
Fusha e zbatimit
1.  Ky ligj zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë tij, ku kryejnë mision Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe/sipas  zonave të interesit dhe zonave të përgjegjësisë nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
2.  Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ushtron kompetencat e saj mbi veprimtari që lidhen me kërcënime dhe/ose rreziqe që synojnë të cenojnë ose cenojnë Forcat e Armatosura në realizimin e misionit të tyre kushtetues.
 
Neni 5
Parimet e veprimtarisë
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes organizohet dhe funksionon në bazë të këtyre parimeve:
a) Ligjshmëria; 
b) Objektiviteti dhe paanësia; 
c) Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;
ç) Asnjanësia politike;
d) Menaxhimi dhe kontrolli i centralizuar;
dh) Bashkëveprimi ndërinstitucional;
e) Ruajtja e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, formave dhe metodave të punës;
ë) Kontrolli dhe llogaridhënia.
 
Neni 6
Organizimi
1. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes është institucion qendror, person juridik publik, në varësi të ministrit të Mbrojtjes.
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes organizohet në nivel drejtorie të përgjithshme dhe funksionon në mënyrë të centralizuar, me struktura vartëse në territorin ku kryejnë veprimtari dhe mision Forcat e Armatosura, brenda dhe jashtë vendit, sipas zonave të përgjegjësisë dhe zonave të interesit.
2. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ka stemën dhe flamurin e vet, të cilat miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.
3. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes mban numrin kodik dhe atë luftarak, sipas përcaktimeve të autoriteteve ushtarake.
4. Struktura dhe organika analitike e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.
 
Neni 7
Detyrat e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes kryen këto detyra:
a) Zbërthen kërkesat strategjike vjetore për inteligjencë;
b) Paraqet, nëpërmjet ministrit të Mbrojtjes, produkt inteligjence gjithëburimshe, të nivelit strategjik dhe operacional, për autoritetet e tjera të drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura, në përputhje me parimin “nevojë për njohje”;
c) Grumbullon, përpunon, vlerëson, analizon dhe shpërndan të dhëna e informacione, si dhe paraqet produkt inteligjence gjithëburimshe për ministrin e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura lidhur me sisteme mbrojtjeje, grupe e organizata me kapacitete kërcënuese të vendeve të huaja, aktivitete të subjekteve apo entiteteve ndërkombëtare, të cilat mund të kërcënojnë dhe/ose rrezikojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura;
ç) Grumbullon, përpunon, vlerëson, analizon, shpërndan të dhëna e informacione dhe paraqet produkt inteligjence gjithëburimshe për ministrin e Mbrojtjes lidhur me kërcënime të natyrës së terrorizmit, ekstremizmit, spiunazhit, sabotazhit, diversionit, subversionit, armëve të shkatërrimit në masë, kërcënimeve kibernetike e krimit të organizuar ndaj kapaciteteve mbrojtëse të vendit;
d) Prodhon produkt inteligjence dhe shpërndan të dhëna në interes të operacioneve të Forcave të Armatosura dhe misioneve jashtë vendit ku janë përfshirë kontingjentet dhe misionet ushtarake shqiptare;
dh) Paraqet produkt inteligjence për gjendjen e sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura;
e) Shkëmben produkt inteligjence, bashkëpunon dhe kryen operacione të përbashkëta me struktura të inteligjencës së NATO-s dhe BE-së, me shërbime dhe me agjenci të inteligjencës së vendeve anëtare të NATO-s e të BE-së dhe agjencitë partnere në interes të mbrojtjes kolektive;
ë) Garanton sigurinë e veprimtarisë së vet, të personelit, të informacionit, infrastrukturës dhe të sistemeve të komunikimit, shkëmbimit, transmetimit të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” dhe/ose të NATO-s;
f) Kontribuon me personel, inteligjencë dhe qendra inteligjence në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO, BE, OKB dhe në çdo organizëm tjetër ndërkombëtar ku shteti shqiptar është ose synon të bëhet palë; 
g) Organizon dhe kryen arsimim dhe trajnim profesional për punonjësit e strukturave të inteligjencës ushtarake, në kuadër të sistemit arsimor të Ministrisë së Mbrojtjes, të NATO-s dhe në kuadër të bashkëpunimit me shërbimet homologe dhe partnere;
gj) Kryen detyra të tjera të përcaktuara në rregulloren e funksionimit të kësaj Agjencie.
h)  Në zbatim të shkronjave “c”, “ç”, “d”, “dh” dhe “e”, ministri i Mbrojtjes miraton rregullore me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të kësaj Agjencie.
 
Neni 10
Detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Drejton, organizon dhe menaxhon veprimtarinë e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi;
b) Siguron zbatimin e ligjshmërisë për veprimtarinë e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive;
c) Zbërthen dhe zbaton direktivën e ministrit të Mbrojtjes për çështjet e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë në fushën e mbrojtjes;
ç) Organizon punën për përmbushjen e kërkesave strategjike vjetore për inteligjencë;
d) Informon dhe bashkëpunon me autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura për çështje që kanë lidhje me kërcënime të natyrës së zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë;
dh) Informon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, komandantët e forcave, komandantët e komandave mbështetëse dhe komandantët e njësive ushtarake për çështje të zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë në fushën e mbrojtjes, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë;
e) Raporton te ministri i Mbrojtjes për veprimtarinë e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
ë) I propozon ministrit të Mbrojtjes krijimin e qendrave të inteligjencës, duke vënë në dijeni më parë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
f) Propozon tabelën e organizimit dhe pajisjeve të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
g) Emëron, liron nga detyra, komandon punonjësin ushtarak nënoficer dhe ushtar dhe punonjësin civil, ekuivalent me punonjësin ushtarak, nënoficer dhe ushtar, sipas tabelës së organizimit dhe pajisjeve të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
gj) Nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit dy - ose shumëpalëshe me strukturat e inteligjencës brenda dhe jashtë vendit, me miratimin e ministrit të Mbrojtjes; 
h) Nxjerr urdhra dhe udhëzime të karakterit ushtarako-administrativ brenda kompetencave të tij;
i) Kryen detyra të tjera, të përcaktuara në akte të tjera ligjore e nënligjore.
 
Neni 16 
Qendrat e inteligjencës
1. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, krijon qendra inteligjence që funksionojnë jashtë vendit në mënyrë të përkohshme, në zona përgjegjësie dhe zona interesi ku kryhen misione dhe operacione ushtarake në mbështetje të Forcave të Armatosura.
2. Qendrat e inteligjencës krijohen me miratimin e ministrit të Mbrojtjes.
3. Procedurat e funksionimit të qendrës së inteligjencës përcaktohen me rregullore të miratuar nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. 
 
Neni 17 
Burimet e informacionit
1. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në përmbushje të misionit të saj, përdor dhe shfrytëzon për grumbullim informacioni:
a) burime njerëzore;
b) burime sinjalore;
c) burimet e hapura;
ç) burime hartografike dhe fotografike.
2. Burimet sinjalore të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes  grumbullojnë informacion vetëm me natyrë zbulimi jashtë vendit.
 
Neni 18 
Grumbullimi i informacionit
1. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, siguron informacionin e nevojshëm nëpërmjet:
a) bashkëpunimit me individë me vullnetin e tyre të lirë;
b) përdorimit të mbikëqyrjes së fshehtë;
c) krijimit dhe përdorimit të evidencës operative;
ç) përdorimit të mjeteve teknike dhe elektronike;
d) përgjimeve të telekomunikimeve;
dh) kontrollit postar.
2. Procedurat specifike lidhur me shkronjat “a”, “b”, “c” e “ç”, të pikës 1, të këtij neni, miratohen me rregullore të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes dhe Prokurorit  të  Përgjithshëm, të propozuar nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.  
3. Mënyra e përdorimit të procedurave specifike përcaktohet me hollësi në rregulloren e linjës informative që miratohet nga ministri i Mbrojtjes, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
4. Përgjimi i telekomunikimeve dhe kontrolli postar për sigurimin e informacionit të nevojshëm bëhen sipas legjislacionit në fuqi për përgjimin e telekomunikimeve.
 
Neni 19 
Përdorimi i identitetit të dyfishtë
1. Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe/ose individi që merr pjesë në operacione të fshehta të kësaj Agjencie mund të përdorë identitet të dyfishtë, në mënyrë të përkohshme, me qëllim garantimin e sigurisë së operacionit.
2. Procedurat për pajisjen, mbajtjen dhe përdorimin e identitetit të dyfishtë përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Punëve të Brendshme, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
3. Kur individit dhe/ose punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes që merr pjesë në operacione të fshehta dhe përdor identitet të dyfishtë, për shkak të detyrës ose bashkëpunimit, i kërcënohet jeta, shëndeti, familja apo prona, i garantohet mbrojtje e veçantë ligjore me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
4. Mënyrat dhe kriteret e mbrojtjes së veçantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.
 
Neni 22 
Ndalimi i veprimtarisë jashtë misionit
Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes i ndalohet të kryejë veprime për të realizuar qëllime e objektiva që nuk kanë lidhje me misionin e saj.
 
Neni 23 
Informacionet
1. Informacionet e grumbulluara nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes nuk përbëjnë bazë ligjore për kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, si dhe të interesave të personave fizikë e juridikë.
2. Ndalohet përdorimi i informacioneve të përftuara nga veprimtaria informative e Agjencisë së  Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes për qëllime përfitimi vetjak apo qëllime të ndryshme. 
 
Neni 24
Ruajtja e informacionit të klasifikuar
1. Informacioni i përftuar nga veprimtaria informative e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar.
2. Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes është i detyruar të ruajë informacionin e klasifikuar gjatë dhe pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
3. Personi që, për shkak të detyrës, është njohur me informacionin e klasifikuar të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ka për detyrë ta mbrojë atë në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar.
4. Për rastet e shkeljes së detyrimit të përmendur në pikën 2, të këtij neni, kur nuk përbën vepër penale, ndaj personave përgjegjës merren masa disiplinore, sipas dispozitave të këtij ligji.
 
Neni 25
Përjashtimi nga publikimi 
1. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ndalohet të japë informacion që ka të bëjë me dhëna të klasifikuara dhe përjashtohet nga detyrimet që kërkojnë publikimin e metodave të punës dhe të burimeve të të dhënave, të informacionit të klasifikuar, të strukturave, të funksioneve, të emrave, si dhe të numrit të punonjësve të kësaj agjencie.
2. Autoritetet, subjektet dhe individët që njihen me informacione të përftuara nga veprimtaria e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, e kanë të ndaluar, për çdo lloj motivi, dhënien, keqpërdorimin  apo bërjen publike të tyre.
 
Neni 26 
Kontrolli dhe llogaridhënia
1. Në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ushtrohet e drejta e kontrollit parlamentar, administrativ dhe ligjor në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi.
2. Autoritetet që kanë të drejtën e ushtrimit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së veprimtarisë së Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes janë:
a) Kuvendi, i cili ushtron kontroll parlamentar mbi Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes; 
b) Kryeministri, i cili ushtron kontroll mbi veprimtarinë dhe kontroll financiar në programimin dhe përdorimin e fondit specifik operativ të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
c) Ministri i Mbrojtjes, i cili ushtron kontroll të drejtpërdrejtë dhe të plotë për veprimtarinë financiare dhe operative të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
ç) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i cili ushtron kontroll për veprimtarinë e kësaj Agjencie personalisht ose nëpërmjet  punonjësve të autorizuar prej tij.
3. Ministri i Mbrojtjes ose drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes i autorizuar prej tij raporton për veprimtarinë e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në komisionin përgjegjës parlamentar, lidhur me çështjet e sigurisë dhe të inteligjencës, të paktën një herë në vit, si dhe sa herë që kërkohet prej tyre. 
4. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes i paraqet, çdo vit, ministrit të Mbrojtjes raport për zbatimin e detyrave të ngarkuara. 
5. Kontrolli, mbikëqyrja e ushtruar dhe raportimet e bëra nga autoritetet e sipërpërmendura kryhen duke ruajtur burimet dhe informacionet e klasifikuara, sipas legjislacionit në fuqi. Adriatik Doçi 
 

Më të lexuarat