Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ndarja e zv/ministrave, Dule, Gjinushi, Milo dhe Frroku nuk pranojnë postet e ofruara, duan ministri

Ndarja e zv/ministrave, Dule, Gjinushi, Milo dhe Frroku nuk pranojnë postet e ofruara, duan ministri

Shpallja e 19 anëtarëve të kabinetit të ri qeveritar nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, ishte vetëm faza e parë e ndarjes së pushtetit. Pas ndarjes së portofoleve ministrore, Edi Rama gjendet para një tjetër sfide; ndarjes së zëvendësministrave dhe drejtorive kryesore, në varësi të ministrive. Edhe pse negociatat intensive për ndarjen e posteve të zëvendësministrave dhe drejtorive do të nisin në ditët e ardhshme. Burime pranë selisë rozë, bëjnë me dije se Vangjel Dule, Mark Frroku, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo nuk kanë treguar vullnet dhe interes për ndarjen e posteve të tjera. Të lartpërmendurit, sipas të gjitha gjasave, nuk do të pranojnë të emërohen zëvendësministra. Milo e ka deklaruar publikisht, por edhe Gjinushi është drejt një vendimi të tillë. Pas shuarjes së ëndrrës për t’u bërë ministra, të lartpërmendurit nuk do të pranojnë poste dytësore në qeverinë Rama, meqenëse në të kaluarën e tyre kanë pasur poste më të larta. Ndërkaq, nuk dihet nëse Mili dhe Gjinushi do të propozojnë ndonjë eksponent tjetër në radhët e partive të tyre për të marrë postin e zëvendësministrit.

Ndarja e pushtetit

Tre janë aktorët dhe faktorët, mes të cilëve do të duhet të ndahet pushteti qendror, nën nivelin e ministrive. Edi Rama, pikësëpari, i duhet të ndajë pushtetin me aleaten e madhe dhe më kryesore, Lëvizjen Socialiste për Integrim, fituesin kryesor të zgjedhjeve. Më tej, postet e zëvendësministrave do të ndahen me disa aleatë të vegjël. Pjesa që mbetet do të ndahet mes eksponentëve të selisë rozë. Burime pranë selisë rozë, bëjnë me dije se për ndarjen e posteve të zëvendësministrave do të zbatohet marrëveshja parazgjedhore me aleatët. Në marrëveshje është përcaktuar që, partia e cila merr 5 mijë deri në 10 mijë vota në rang kombëtar, ka të drejtën të përfaqësohet në rang zëvendësministri. Ndërsa partia që merr mbi 10 mijë vota dhe mandat deputeti, ka të drejtën të marrë një ministri. Por, kjo marrëveshje nuk u respektua në mënyrë korrekte pas fitores së thellë në zgjedhjet e 23 Qershorit. Pas koalicionit me LSI dhe rezultatin spektakolar të kësaj të fundit, pesha e aleatëve të vegjël erdhi duke u zbehur. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e drejtues nga Vangjel Dule, mori 14.722 vota dhe një mandat deputeti. Megjithatë, PBDNJ nuk mori asnjë portofol ministror. Për poste ministrore pretenduan edhe
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë me 10.220 vota, Partia Demokracia Sociale me 11891 vota, dhe Partia Kristian Demokrate me 7993 vota. Poste zëvendësministrash i takojnë edhe Aleancës Popullore,  e cila ka marrë 8927 vota dhe Partisë Socialiste të Vërtetë ’91, e cila ka marrë 6135 vota.

Partitë me drejtori

Partitë që kanë marrë një numër të konsiderueshëm votash, për që nuk e kanë kaluar shifrën prej 5 mijë votash, do të përfaqësohen në poste drejtorësh. Edhe ato parti që kanë marrë mbi 2 mijë vota, do të marrin drejtori. Partitë që përfaqësohen në drejtori janë;
Partia Ligj dhe Drejtësi, Partia G ’99, Partia e Gjelbër, Aleanca Arbnore Kombëtare, Partia Socialpunëtore Shqiptare, Partia Demokrate për Integr., Partia për Mbroj. Emigrantëve, Partia Ardhmëria Shqiptare dhe Partia Socialiste e Moderuar.

Kushtet e marrëveshjes

Në respektim të programit politik, Partia Socialiste e Shqipërisë, si drejtuese e këtij koalicioni garanton;3.3. Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota, dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike; 3.4 Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror; 3.5 Kur një parti politike e koalicionit, drejtpërsëdrejti, ka fituar një mandat në zgjedhjet e 23 qershorit, atëherë ajo ka të drejtë që të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve; 3.6 Partia që ka fituar një mandat me anë të zbatimit të formulës së shpërndarjes së mandateve, përfitimin e saj në lidhje me qeverisjen sipas pikës 3.5 duhet ta diskutojë edhe me partitë e tjera, të cilat kanë plotësuar numrin që u është dashur për të fituar një mandat. Adriatik Doçi

 

 

Friday, August 9, 2013 - 10:30
Total votes: 26